Aktivisti dhe i burgosuri shumëvjeçar politik në kohën e ish Jugosllavisë, Adem Demaçi, ka ndërruar jetë dje pasdite në Prishtinë, në moshë 82 vjeçare. Lajmin për vdekjen e Demaçit e shpalli nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti, dje në seancën e pasdites.
Adem Demaçi quhet edhe “Mandela i Kosovës” për shkak të angazhimit të tij për paqe dhe vlerat demokratike. Nga viti 1963 bashkë me disa shkrimtarë dhe intelektualë e formuan “Lëvizjen revolucionare për bashkimin e Shqiptarëve”, për të cilën u dënua disa herë me burg ( gjithsej 28 vite burg). Demaçi ka shkruar edhe romane, ndërsa vepra e tij më e njohur është “Gjarpërijtë e gjakut”, për të cilin u dënua me burg nga pushteti komunist jugosllav.
Pas lirimit nga burgu, në vitin 1990, Demaçi u bë kryetar i Këshillit për të drejtat dhe liritë në Kosovë, anëtar aktiv në disa parti politike, si dhe përfaqësues politik i UÇK gjatë luftës në Kosovë në vitin 1998-99. Në vitin 1991 shpërblehet me çmimin Saharov për liri të shprehjes, të cilën e ndan Parlamenti Evropian, si dhe shpërblime të shumta si luftëtar për demokraci.