Liderët e 29 vendeve anëtare të NATO-s dje në ditën e parë të Samitit në Bruksel vendosën ta ftojnë Maqedoninë t’i fillojë negociatat për anëtarësim, ndërsa ftesën sot zyrtarisht Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg do t’ia dorëzojë kryeministrit Zoran Zaev në ceremoni solemne në selinë e aleancës më të madhe ushtarako-politike në botë.
Me këtë hapet rruga që Maqedonia të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s, ndërsa nga ftesa deri në anëtarësimin e plotë vijojnë procese, si lidhur me përmbushjen e obligimeve që Shkupi dhe Athina i ndërmorën në Marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit me emrin, ashtu edhe lidhur me procedurat të cilat i paraprijnë çdo vendi aspirues.
Vendimin për ftesën e kumtoi dje Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg në konferencë për media pas sesionit të parë të Këshillit Veriatlantik në Samitin e NATO-s.
“E përshëndes Marrëveshjen me Greqinë, qartë thamë se do të fillojmë negociata qasëse dhe tham se një herë pasi të finalizohen procedurat do të mund IRJM të bëhet anëtarja e 30-të me emrin e ri”, tha ai.
Kjo qartë nënkupton se vetëm me ndryshim të emrit Maqedonia mund të hyjë në Aleancë.
“Njerëzve në Maqedoni u mbetet të vendosin, ky është rast që vjen një herë në jetë, ose do ta përkrahin marrëveshjen dhe do të bëhen anëtarë, ose nuk do ta përkrahin dhe nuk do të bëhen anëtarë, nuk mundet t’i fitojnë të dy punët. Nuk ka anëtarësim pa ndryshim të emrit, popullit i mbetet të vendos”, tha Stoltenberg.
Sot vijon akti solemn, në të cilin Stoltenberg do t’i dorëzojë Zaevit edhe ftesën formale, ndërsa javën e ardhshme vendi duhet të marrë planin për në NATO, sipas të cilit saktë duhet të udhëhiqemi në përfundimin e reformave ushtarako-teknike dhe ky plan është identik për çdo vend aspirant.
Koordinatori kombëtar për përgatitjen e Maqedonisë për hyrje në NATO, Stevo Pendarovski nga selia e NATO-s në Bruksel tha se marrim ftesë për t’i filluar negociatat inkuadruese.
Sipas tij, ajo që është specifike për Maqedoninë dhe që është detyrë e jonë konkrete e shtëpisë që ta implementojmë deri në fund marrëveshjen me Greqinë, marrëveshjen e Prespës, dhe NATO-ja do të na vlerësojë nëpër këtë prizëm.
“Do të thotë, nuk do të jetë mjaftueshëm vetëm këto kushte juridike teknike ushtarake, por edhe politike dhe legale t’i plotësojmë në katër deri në gjashtë muajt e ardhshëm nga ky rast, por do të nevojitet ta përfundojmë edhe procedurën për ratifikimin për referendum lidhur me marrëveshjen dhe kuptohet ndryshimet kushtetuese”, tha Pendarovski.
Kryeministri Zoran Zaev dje , pasi Maqedonia e mori ftesën të fillojë negociata për inkuadrim në NATO, në ditën e parë të Samitit të Aleancës në Bruksel, shprehu bindje se shumica e qytetarëve të Maqedonisë do të votojnë pozitivisht në referendumin e ardhshëm për Marrëveshjen me Greqinë për emrin.
Duke marrë pjesë si folës në konferencën “Angazhimet e NATO-s: Dialogje në Samitin në Bruksel” Zaev theksoi se prejse dje Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg e shpalli vendimin, vijojnë obligimet që duhet t’i plotësojnë të dy palët.
“Ne u obliguam për referendum, sepse e ndërrojmë emrin kushtetues. Referendumi duhet të mbahet kah fundi i shtatorit, fillimi i tetorit, pastaj vijojnë ndryshimet kushtetuese, për çka nevojitet deri 100 ditë sipas rregullores së Kuvendit, ndërsa pastaj vijon ratifikimi në Parlamentin grek. Procesi është shumë demokratik, normal dhe gjithsesi besoj se qytetarët tanë në përqindje të madhe do të jenë për”, porositi kryeministri Zaev, në konferencë, në të cilën morën pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, shefi i Diplomacisë Nikolla Dimitrov, zëvendëskryeministri i obliguar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe koordinatori për në NATO, Stevo Pendarovski.
Mospajtimet me kryetarin e VMRO-DPMNE-së do të menaxhohen përmes dialogut të hapur.
“Më vjen keq që presidenti ynë e humbi momentin të jetë me ne, por pas votimit të qytetarëve tanë, politikanët do të duhet ta respektojnë vullnetin e tyre dhe t’i plotësojnë kërkesat e tyre. Presidenti mund të vendosë të mos e nënshkruajë ligjin për ratifikim dhe prejse për herë të dytë ishte votuar në Parlament, por pas referendumit të gjithë politikanët në vendin tonë do të duhet të përulen në vullnetin e qytetarëve”, tha Zaev.
Zaev dhe delegacioni qeveritar i Maqedonisë sot do të marrin pjesë në pjesën zyrtare të agjendës në samit.
Kryeministri në shoqërim të zëvendëskryeministrit Osmani dhe ministres Shekerinska dhe Dimitrov, do të marrin pjesë në takimin e liderëve të vendeve anëtare dhe partnerëve në format të RSM “Mbështetja vendimtare” në nivel të shefave të shteteve dhe qeverive.
Agjenda e Samitit të sivjetmë të shefave të shteteve dhe qeverive të NATO-s këtë vit në Bruksel dhe sot parashikon konferencë për media të Sekretarit të Përgjithshëm Stoltenberg.
(MIA)