Të nderuar e të dashur miq, njerëz të mirë, bashkëqytetare e qytetarë, do të doja të ju informoj se që sot do të më shihni në opinion në rolin tim të ri, këshilltar i veçantë dhe pjesë e kabinetit të ministrit të Kulturës, Robert Alagjozovskit.
Ftesën e ministrit të ri e pranova me kënaqësi të madhe dhe pa shumë hezitim. Besoj se i supozoni arsyet kryesore pse kam pranuar këtë detyrë me përgjegjësi, por ndjej obligim ndaj opinionit në përgjithësi, sidomos ndaj njerëzve të dashur që ndjekin dhe mbështesin veprimet e mia publike në të gjitha këto vite, për të dhënë një shpjegim të vogël në lidhje me motivet e mia për të ndryshuar mënyrën e deritanishme të veprimit tim dhe për t’u bërë pjesë e ekipit që do të drejtojë me Ministrinë e Kulturës.
Së pari, arsyeja kryesore është respekti im për Robert Alagjozovskin, me të cilin njihem pothuajse 25 vjet. Kapacitetet e tija, kreativiteti dhe njohuritë e thella në këtë fushë në përgjithësi, por edhe të skenës së pavarur kulturore, më japin frymëzim dhe shpresë reale për ndryshime e përmirësime thelbësore në jetën tonë kulturore dhe artistike.
Natyrisht, një pjesë të madhe të shtytjes për këtë fillim të bashkëpunimit tonë kanë edhe interesimet e përbashkëta, për reggae muzikën dhe kulturën rastafariane, për rock ‘n’ rollin, kulturën dhe artin urban. Për shkak se edhe vetë i përkas skenës së pavarur të artit dhe i kam ndjerë në lëkurën time të gjitha problemet dhe anomalitë me të cilat ballafaqohet pothuajse çdo artist i pavarur, vendosa që për një kohë të bëj një flijim të vogël të pavarësisë sime, për të ndihmuar njerëzit e kësaj fushe që të fitojnë më shumë mbështetje dhe kushte, për të krijuar më lirshëm dhe më të pavarur. Shpresoj se me ekipin e ri do të kontribuojmë që kjo skenë dhe shprehet artistike alternative të marrin mbështetje në drejtimin e duhur, të zhvendosen nga margjinat e interesit të institucioneve dhe të zhvillohen dhe të gjallërojnë në një mënyrë të drejtë.
Motivi dhe sfidë është sigurisht edhe gjendja me kulturën e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera në vend, të cilët shpesh ishin viktimë e politikave etnocentriste të qeverisë së mëparshme. Në këtë drejtim, do të përpiqem, së bashku me ekipin e drejtuar nga ministri Alagjozovski, për të kontribuar në ndërtimin e një qëndrimi dinjitoz, respektimit dhe kujdesit për trashëgiminë dhe veprimtarinë kulturore të të gjithë qytetarëve të vendit, në mënyrë të barabartë.
Sigurisht, fakti që ky ekip është pjesë e një qeverie të re të udhëhequr nga Zoran Zaev dhe njerëzit, me të cilët luftuam së bashku vite me radhë kundër një regjimi jodemokratik dhe autokratik, është një nxitje e madhe për t’u bashkuar dhe për të qenë pjesë e ndryshimeve që do të lëvizin Maqedoninë përpara në çdo aspekt, pas viteve të gjata përplot me pengesa dhe shkatërrim të pothuajse gjithçkaje që vlen.
Pjesa më e madhe e detyrave të mia do të jenë të lidhura me komunikimin e Ministrisë me publikun. Kolegëve nga mediat u premtoj një marrëdhënie dhe bashkëpunim korrekt dhe profesionale, si dhe transparencë maksimale. Në vend të urdhërimit të raporteve, thirrjeve dhe presioneve mbi gazetarët, prej këtij ekipi mund të presin vetëm dyer të hapura dhe përgjigje reale për opinionin, në çdo kohë.
Shpresoj të kem mirëkuptimin tuaj të sinqertë dhe mbështetje për këtë hap që kam bërë. Nga ana tjetër, mund të prisni se nuk do të lëviz asnjë milimetër prej parimeve të mia etike, si dhe mbrojtjes së interesave të qytetarëve. Si më parë, ashtu edhe që tani, gjithmonë, mbetem i juaji!