Në gjykatën themelore Shkup 1 po zhvillohet seanca gjyqësore për rastin “TNT”- sulmin mbi Komunën Qendër dhe për shpullat e porositura për prefektin Andrej Zhernovski, pas akuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale Publike. Të akuzuarit, ish- funksionarët Gruevski dhe Janakievski, dhe deputetja Rangellova, nuk kanë dashur t’i fotografojnë në bankën e të akuzuarve…
Në seancë janë prezentë pesë funksionarët e akuzuar: ish-kryeministri Nikolla Gruevski, Ministri i mëparshëm për Transport Mile Janakieski, deputetja Daniella Rangellova, dhe dy këshilltarë të Komunës Qendër. Me ata janë të akuzuar edhe nëntë persona, për të cilët vlerësohet se në qershor të vitit 2013 kanë marrë pjesë në dhunën para Komunës. Gazetarëve prezentë nuk u është lejuar t’i fotografojnë të akuzuarit!
Prokurore është Fatime Fetai nga Prokuroria Speciale Publike, ndërsa gjykatëse është Tanja Mihajlova. Gjykatësja Mihajllova vazhdimisht i ka tërhequr vëmendjen Prokurores Fetai, me ndërhyrje në fjalë dhe me kërcënim që nëse vazhdon ta korrigjojë, do ta mënjanojë nga salla e gjykimit!
“Nuk do tu lejoj që lëndën ta shndërroni në cirk, nuk do të lejoj. Kjo është salla e gjyqit numër një dhe unë jam gjykatës. Nuk do t’u lejoj të bëni teatër!”, tha Mihajllova.
Fetai ka kërkuar nga gjykata, për arsye se ka dëshmitar të rrezikuar, të lejojë që në mënyrë të veçantë të merr pjesë në procedurë, ndërsa avokati i të akuzuarve nuk e ka pranuar këtë kërkesë, me arsyetim se është e paligjshme dhe ka kërkuar të mos pranohen edhe audio- materialet, sepse bëhet fjalë për biseda të përgjuara në mënyrë të paligjshme.
Gjyqi po e dëgjon “bombën”, pas çka do të vendos nëse do të refuzohet ose do të pranohet si dëshmi. Gazetarët janë përjashtuar nga diskutimi publik në momentin kur ka filluar shpjegimi rreth regjistrimeve.