Vëzhguesit e CIVIL –Qendrës për Liri kanë regjistruar mbi 70 raste të parregullsive, në shtatë ditët e para nga fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kanë arritur mbi 100 paraqitje nga qytetare dhe qytetarë nga i tërë vendi, të cilët informojnë për parregullsi në 14 kategori, të cilat CIVIL i hulumton gjatë procesit zgjedhor.
Parregullsitë janë të dokumentuara, të përpunuara dhe të verifikuara nga ekipi ekspert dhe vëzhgues i CIVIL.
Shënohen tre raste të nisjes së parakohshme të fushatës zgjedhore nga tre parti politike të ndryshme, edhe pse Republika e Maqedonisë, sipas raporteve paraprake dhe analizave të CIVIL, për kohë të gjatë gjendet në fushatë parazgjedhore, gjatë para fillimit të pjesës zyrtare të fushatës më 21 nëntor.
Keqpërdorimi i resurseve publike në nivel lokal dhe nacional, shënohen në 14 raste, ku bëhet fjalë edhe për punë financiare jo-transparente të institucioneve dhe partive politike. Për keqpërdorimin e administratës publike janë përpunuar 23 raste. Në ato raste përfshihen “listat me votues të sigurt”, si dhe raste të presioneve për prezencë në tubime, mobing, dhe diskriminim politik.
Alarmante është gjendja me keqpërdorimin e të miturve në fushatën parazgjedhore. CIVIL ka regjistruar 17 raste të keqpërdorimit të nxënësve të shkollave të mesme dhe fillore, dhe një rast në gadimore. Praktikisht, secila shkollë është e shndërruar në shtab zgjedhor, ku mësimdhënësit dhe këshillet e prindërve ushtrojnë agjitim, presione dhe kushtëzime mbi prindërit e nxënësve, duke e shfrytëzuar nxënësit si mjet detyrimi për bashkëpunimin e qytetareve dhe qytetarëve me partitë qeverisëse. Ekzistojnë akuza në mediat pro-qeveritare për një rast keqpërdorimi të të miturve në një shkollë në të cilën përfaqësues të opozitares LSDM bëjnë propagandë.
CIVIL kërkon që fëmijët të lihen të qetë! Dëshira e politikanëve për pushtet, nuk guxon të reflektohet nga fëmijët, të miturit, nxënësit!
Shprehja e urrejtjes, kërcënimet dhe kushtëzimet janë të shumta dhe për çdo ditë shënohen raste të reja. Këto, në një numër të madh i paraqesin vëzhguesit dhe gazetarët qytetarë, si dhe qytetaret dhe qytetarët e prekur. Procedura për verifikimin dhe përpunimin e këtyre të dhënave është në realizim.
Pengesa e mundshme për votim nga institucionet, ndërmarrjet publike dhe kompanitë private, deri tani është regjistruar në dy raste. Shpresojmë se do të ndalen presionet, gjegjësisht, caktimi i kohës së punës për votuesit, në ditën e zgjedhjeve, ashtu si u konvenon strukturave të caktuara të fuqisë. Nga dy rastet, një është mirë i njohur për publikun, pasi u zbardh nga ana e CIVIL. Kjo praktikë është e papranueshme.
Dhunë është regjistruar në gjashtë raste gjatë javës së parë të fushatës parazgjedhore. Në tre raste bëhet fjalë për dhunë fizike, dhe në tre raste për shkatërrim të shtabeve zgjedhore.
Për një kohë të gjatë, CIVIL alarmon publikun, institucionet, posaçërisht Komisionin Shtetëror Zgjedhor, për votuesit “fantazma”. KSHZ, për fat të keq, nuk arriti të tërhiqet nga ndikimi i partive politike, ndërsa revidimin e Listës së Votuesve nuk arriti ta zbatojë në mënyrë të kënaqshme. Kjo është fakt. Shpresojmë se KSHZ do t’u ndihmojë qytetareve dhe qytetarëve që ta realizojnë të drejtën e tyre për votim, në ditën e zgjedhjeve dhe se do të reagojnë shpejtë për zgjidhjen e problemeve me të cilat ata do të përballen.
CIVIL drejton pesë kërkesa kategorike:
- Kërkojmë që partitë politike të ndalin keqpërdorimin dhe shkeljen e Kodit Zgjedhor dhe të Kodeksit për zgjedhje të drejta dhe demokratike,
- Kërkojmë që institucionet, administrata publike dhe ndërmarrjet të fillojnë funksionimin e tyre në përputhje me kompetencat e tyre dhe detyrimit para qytetareve dhe qytetarëve,
- Kërkojmë transparencë të punës financiare të institucioneve dhe transparencë të financimit të fushatës zgjedhore të partive politike,
- Kërkojmë që Komisioni Shtetëror Zgjedhor të lirohet nga diktatura politike dhe të jetë mbrojtës i të drejtës për votim në ditën e votimit dhe në mënyrë të shpejtë dhe efikase ti zgjedhë këto probleme,
- Kërkojmë debat mes liderëve politik, e jo – grindje dhe hedhje nga foltoret e tubimeve të tyre. Më 19 shtator kemi drejtuar kërkesë të qartë, me kushte shumë të lehta, për pjesëmarrje të liderëve të dy partive më të mëdha politike, të dalin në debat para publikut të Maqedonisë. Një nga liderët politik nga të cilët kërkuam prani, menjëherë u shpreh pozitivisht për ftesën, nga tjetri ende presim përgjigje.
(Periudha e informimit: 21-27 nëntor 2016)