Ngjarja multimediale “Artistët për të drejtat e njeriut”, në organizim të CIVIL – Qendrës për Liri, sonte në ora 18 fillon me një tryezë të rrumbullakët, në të cilën artistët do të diskutojnë për rolin dhe përgjegjësinë e artistit në krijimin e një shoqërie demokratike, përmes luftës kundër autokracisë, shkeljes të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe dhunës strukturore.
Pjesë e programit të ngjarjes multimediale është edhe ekspozita e veprave artistike, në të cilën artistja Doroti Paçkova do të paraqitet me fotografi.
Për CIVIL Media, Paçkova e paralajmëroi ngjarjen si një mundësi për artistët që të shfaqin rezistencë ndaj totalitarizmit dhe të drejtojnë kritikë ndaj të gjitha formave që e robërojnë mendjen e shoqërisë civile.
“Qëllimi i artistëve progresiv të kohës së sotme është që të shkatërrohet roli i privilegjuar si specializim i jo-specialistëve, si dhe të pranohen mënyrat e ndryshme të rikrijimit të shoqërisë. Pjesëmarrja aktive në ndërtimin e një bote më të mirë, duhet të jetë pozicioni nismëtar i çdo qytetari të matur, e pastaj edhe artist. E, pozicioni startues në masë të madhe e përcakton rrjedhën diskurzive të mëtejshme të veprimeve.
Kultura është një formë e rezistencës. Në shprehjen e tij më të përgjithshme, arti kritik është një lloj arti, i cili i vetëdijëson dhe i shpërbën mekanizmat e dominimit, e kthen ndërgjegjen e spektatorit në botën e cila synon transformimin.
Të kuptuarit në vete dhe për vete nga shekulli i kaluar, “I’art pour l’art” nuk do të ndihmojë në afat të gjatë që të transformohet vetëdija intelektuale dhe situatat problematike globale. Që nuk do me thënë se zhytjet e tilla ‘lartpurlartistike’ nuk na nevojiten, e në momente janë ndoshta edhe të domosdoshme. Të eksploatuarit rrallë kërkojnë shpjegim të ligjeve të ekspolatimit, ndërsa dominuesit nuk mbeten të nënshtruar, sepse as njëra palë as tjetra nuk kanë besim në aftësinë e tyre për transformim. Prandaj, ne artistët, si energji thelbësisht transformuese, duhet të jemi paraprijës dhe motivues, dhe përfundimisht edhe regrutues dhe kapacitet i pashtershëm i rezistencës ndaj konformizmit, autokracisë, burokracisë dhe të gjitha skemat e përcaktuara në mënyrë rigoroze dhe utilitare.
Të jemi realë në kërkesat tona për një botë më të mirë, hajdeni artistë, shtrojini fushat me narcisë të egër”, deklaroi Paçkova.