Pasi që Kolegiumi Profesional i Klinikës së Toksikologjisë, me rastin e dëshmisë së publikuar të Dr. Nestor Popovski, i cili akuzoi drejtorin ekonomik Nikola Tashev se e ka fyer verbalisht dhe e ka nxjerrë fizikisht jashtë nga mbledhja, dërgoi demant me pohim se nuk ka pasur kontakt fizik, por se drejtori Tashev e ka përjashtuar mjekun “me një ton pak më të lartë”, CIVIL Media mori një demant të ri.
Këtë herë, gjashtë mjekë nga Klinika për Toksikologji, “si dëshmitarë të menjëhershëm indirektë të ngjarjes së traumatizuar”, pohojnë se shefi 63-vjeçar i Kujdesit Intensiv të Toksikologjisë, prapëseprapë, ka qenë i nxjerrë jashtë nga mbledhja e Kolegiumit.
Në demantin i cili ka datën 25 mars, e i cili është dërguar në Sindikatën e Qendrës Klinike, Shoqatën e Mjekëve të Maqedonisë dhe Odën e Mjekëve, thuhet:
“Të neveritur nga pavërtetësitë e paraqitura në demantin nga ana e Klinikës së Toksikologjisë, e dëshmitarë të menjëhershëm indirektë të ngjarjes së pakëndshme, na lejoni të shpalosim të vërtetën objektive për ngjarjen e vënë re prej nesh.
Në mbarë demantin, është e saktë vetëm që u.d. drejtor organizativ e ka mënjanuar Dr. Nestor Popovskin nga seanca.
Më ditën e 24.03.2016, rreth orës 14:30 ka filluar takimi i një pjese të kolegjiumit profesional, në të cilin kishin munguar prof. Cvetanka Bozhinovska dhe doc. Dr. Natasha Simonovska.
Pas disa minutash, respektivisht rreth orës 14:35, në të gjithë katin ku ishim të pranishëm ne, anëtarët e poshtënënshkruar të Kolegjiumit Mjekësor të Klinikës, filloi të dëgjohet zhurmë dhe britma të padurueshme, të shkaktuara nga zëri i u.d drejtorit organizativ të Klinikës, Nikolla Tashev, që për disa minuta më vonë, ta shikojmë në korridor dr. Nestor Popovskin krejtësisht të tronditur.
Duam ta përmendim se kolegu Nestor Popovski sipas karakterit është tejet i qetë dhe jokonfliktuoz, e tregues më i mirë për këtë është numri tejet i madh i pacientëve, të cilët e kërkojnë kolegun çdo ditë.
Përmendim se të gjitha pretendimet tjera, të thëna në deklaratën e tij, për ngjarjet që i paraprinë këtij incidenti të paparë, janë plotësisht të sakta”.
Kështu, gjashtë mjekë, anëtarë të kolegjiumit të mjekëve, drejtpërsëdrejti konfrontohen me qëndrimet e anëtarëve nënshkrues të demantit të Kolegjiumit Profesional të ISHP Klinikës Universitare për Toksikologji – drejtorit ekonomik, dy docentëve, teknikut kryesor medicinal dhe sekretareshës.
CIVIL Media dërgoi pyetje në lidhje me zgjidhjen e mundshme të këtij rasti deri te Oda e Mjekëve dhe te Shoqata Mjekësore e Maqedonisë, por nuk ka marrë kurrfarë përgjigje.