Një nga ekipet e CIVIL – Qendrës për Liri sot i vizitoi komunat Demir Kapi, Bogdanc dhe Dojran për t’i informuar qytetarët për projektin “Përpara!” për t’u kyçur në procesin vëzhgues në zgjedhjet e parakohshme.
Ekipi e filloi ditën me shpërndarje afishesh me përmbajtje informative për projektin “Përpara!” në komunën e Demir Kapisë. Të gjithë qytetarët e interesuar patën mundësi t’i marrin informacionet e duhura për mundësinë e bërjes vëzhgues. Banorët e Demir Kapisë u ankuan për politikat e këqija të pushtetit aktual. Ata thonë se me kënaqësi do të aplikojnë për t’u bërë vëzhgues të CIVIL-it, sepse potencojnë se më i pranueshëm për ta është statusi i të qenët vëzhgues i pavarur sesa vëzhgues partiak.
Qytetarët e Bogdancit u ankuan se të rinjtë janë shpërngulur nga qyteti për shkak të kushteve të këqija për jetë. Ata thonë se “më parë Bogdanci ishte si Parisi”, kurse sot është – vend i shkretë.
Ekipi i CIVIL-it ditën e përfundoi në Dojran ku i informoi qytetaret e qytetarët për projektin “Përpara!”. Dojranasit me të cilët biseduan përfaqësuesit e CIVIL-it ishin të sjellshëm dhe na deklaruan se nuk besojnë në zgjedhje të lira, të drejta e demokratike përderisa të mos ketë mediume të lira e të paanshme. Sipas tyre, ata do të aplikojnë të jenë pjesë e ekipit vëzhgues të CIVIL-it, por tash për tash konsiderojnë se nuk ka kushte normale për të mbajtur zgjedhje të drejta, të lira e demokratike.
Përktheu nga maqedonishtja: Arsim Jonuzi