Kush po thotë, be, se Shkupi nuk bën? Këtu diçka marrëzira po flasin?
Ja, unë për 8 mars isha në restorantin “Pelister” në mes të Shkupit, duke pritur të takohem me një mik shumë të dashur. Duke ndenjur ashtu, në “Pelister”, m’u kujtua maja e tij manastirase Baba, dhe m’u kujtua im atë, kurse duke e shikuar “Shkupin 2014”, ofshava – “Of, mori nanë, mori loçkë!”, dhe m’u kujtua se duhet nënës sime t’ia uroj 8 Marsin.
Dhe sërish më erdhi ai moment i njohur, kur merr frymë Shkup e do të doje të nxirrje frymë Ohër, demek do prej Shkupit për një çast të gjendesh në plazhet e bukura e të shkreta pranëpranverore ohrase.
Asgjëmangut, kini kujdes se çfarë po dëshironi, meqë mund t’ju fluturojë dëshira, sepse mund të ndodhë që plazhi të jetë prej atyre të Subrata Rojit, e kjo mund të nënkuptojë – merr frymë “Shkupi 2014”, nxjerr frymë “Ohri 2018”, e çfarë të bëjmë pastaj me turizmin?!?!?
Pas një ore më shumë se njëorëshe bisedë miqësore, u drejtova kah “Mavrovasja”.
Mendimet i kisha si “liqen” i trazuar, më përplaseshin si “Krameri përballë Kramerit”, si “dallgë përballë dallgës”.
Një “mendim dallgor” ishte propozimi i Todor Petrovit dhe prona e tij private – Kongresi Botëror Maqedonas, për ndërtim të përmendores kushtuar Fan Stilian Nolit, përndryshe një nga idolët e mi intelektualë.
Propozimi pozitiv mahnitës i “Teodor Hercëll Petrovit” qe paraqitur si shenjë e qetësimit Çair/Butel, pas të kuptuarit të gabuar të maksimës dellçeviane për “fushën dhe kulturën”.
Nëse është – prej kujt është, kur është mirë, mirë është… Po qe se Todor Petrovi ka përjetuar ndryshim si “rruga për Damask”, duhet të gjithë të ngazëllehemi. Paramendoni, në mes të luftës në Siri, të guxosh të shkosh në Damask. Çfarë guximi, eeejj, e prej aty të gjithë po ikin drejt nesh, edhe atë ku gjetën tash të ikin?
Ky guxim i Toshes meriton të gjithë toptan të shkojmë të gjithë te Beqiri në Çair dhe ta lusim të gjithë të na e rrasë nga një shuplakë, ashtu që të gjithë ta shohim Damaskun dhe të ndryshojmë. E nëse nuk shkojmë ne te Beqa, Beqa do të vijë te ne.
“Dallga” tjetër mendimore ishte kolumna e Irena Radovanoviqit “Се гордеат со Мајка Тереза, а крстот им пречи“ [Krenohen me Nënë Terezën, kurse u pengon kryqi] (“Dnevnik”, 5 mars 2016). Me këtë, zonja Radovanoviq bëri herezi të vërtetë politike.
Çfarë pacipësie nga Irena?! Guxoi ta quajë Nënë Terezën më shumë se shkupjane dhe paturpësisht ia tha emrin Gonxhe Bojaxhiu, por edhe më shumë se aq. Madje e quajti edhe shqiptare?!?
Eeejjj, paramendoni deri ku mbërriti çështja?!? Më në fund shkupjania Nënë Tereza u bë shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu, pas sa e sa vitesh inatimi prej gomari dhe për gjithë këtë fajtore është Irena.
Ashtu i thelluar në mendime, kisha kaluar pranë kioskut e tostave dhe nuk e kisha vërejtur pronarin/punëtorin e kioskut, haxhiu i ri shkupjan, i cili më thirri: „O Goni, ku po ik k’shtou pa fol, pash Zotin? Paja knena!“ Eja këtu, Goni, të të tregoj një muhabet, se ju shqiptarët e shkolluar mendoni se ne që jemi të dhënë pas fesë nuk dimë asgjë, se jemi të prapambetur e të marrë.
“Assesi, haxhi. Ti e di se kjo nuk është e vërtetë”, iu përgjigja i zgjuar nga mendimet, “gjithsaherë kur jam në Shkup vij te ti për të bërë muhabet. Hajt tregomë çfarë ka të re!”
“A e di çfarë ka ndodhur njëherë?”, më thotë haxhiu i ri shkupjan, “në një qytet të devotshëm, të ngjashëm me këtë tonin? Dreqi kishte bërë një dru shumë të bukur me hije luksoze e të madhe. Njerëzit e qytetit në vend se të shkonin në xhaminë më të afërt, kishin filluar gjithnjë e më shumë të shkojnë nën atë dru dhe aty ta kalojnë ditën. Numri i besimtarëve ishte rritur nën dru, kurse ishte zvogëluar në xhami dhe Shejtani ishte ngazëllyer. Një besimtar i ndershëm e i drejtë ishte nevrikosur me këtë “punë shejtani”, me këtë “shejtan ishi-n” dhe kishte vendosur ta marrë kontrollin në duart e veta. E kishte marrë sëpatën dhe ishte nisur ta presë drurin. I vendosur dhe i mbathur, me zemër të pastër, rrugës për te druri, ishte takuar me shejtanin, me Shejtanin i mbërthyer në imazh njerëzor.
- Ku je nisur me atë sëpatë, o mik, e kishte pyetur Laneti.
- Ta pres drurin, iu kishte përgjigjur.
- Po pse po e pret drurin? Shih sa i mirë që është?
- Pikërisht për atë se është shumë i mirë, për atë po e pres. E tash largomu, se po e ha edhe ti.
Ishin kacafytur dhe njeriu i drejtë në një moment e kishte mundur Shejtanin dhe mu atëherë kur kishte dashur t’i mëshojë me sëpatë, i kishte dhënë një monedhë ari dhe i kishte thënë:
- Ja, merre këtë monedhë dhe mos e prej drurin edhe sot!
Njeriu i drejtë ishte ndalur dhe ishte menduar. Po unë edhe ashtu do ta pres këtë dru, ashtu e kam nijetin. Çfarë dallimi bën një ditë, kur kanë kaluar qe sa ditë tashmë, me këtë dru shejtani? Nëse jo më shumë, do të kem një monedhë më shumë, dhe nesër – drurin, nuk ka lëvizje këtu, nesër do ta pres.
E kishte marrë monedhën dhe kishte shkuar në shtëpi. Të nesërmen ishte zgjuar herë, e kishte marrë sërish sëpatën, e kishte hapur derën dhe kishte dalë ta kryejë atë që kishte premtuar vetë. Para dere kishte pasur një monedhë tjetër. Njeriu kishte kuptuar se monedha është ryshfet, edhe një blerje dite. E kishte marrë monedhën dhe kishte menduar se sa dëshira të papërmbushura në jetë kishte pasur dhe edhe sa ditë/monedha duhet të kalojnë për ta prerë drurin.
Të nesërmen ishte zgjuar, e kishte marrë sëpatën dhe e kishte hapur derën, duke dashur ta marrë monedhën e tretë, po në pragun e shtëpisë nuk kishte pasur monedhë. Njeriu i devotshëm, i nevrikosur e i zemëruar, si asnjëherë më parë (edhe druri shumë keq, edhe nuk kishte pasur monedhë / veçanërisht që nuk kishte pasur monedhë) kishte shkuar me sëpatën drejt drurit. Sërish para tij kishte dalë Shejtani dhe e kishte pyetur se ku po shkonte. Njeriu i kishte thënë të largohej, meqë kësaj here me të vërtetë do të pësonte. Dhe sërish ishin zënë, por kësaj radhe Laneti e kishte rrëzuar njeriun. I befasuar dhe i hamendur në kokë, njeriu e kishte pyetur:
Si më rrëzove ti, kur vetëm para disa ditëve isha unë ai që të mposhti aq lehtë?
Eee, para disa ditëve, i kishte thënë Laneti, ndërgjegjen e kishe të pastër, fort i udhëhequr nga mendimi i drejtë, kurse sot ke dy monedha në xhep. Ato të bëjnë ty të dobët, kurse mua shumë të fortë.
“A kuptove, o Goni?”, më pyeti haxhiu i Shkupit. Këta politikanët tanë shqiptarë na thonë ta mbajmë Skenderbeu në zemrat tona, kurse ata do ta bartin “Tenderbeun” në xhepat e tyre. Para secilave zgjedhje fillojnë si ky i devotshmi nga rrëfimi, me nijet të ri të pastër dhe me besim të fortë, por përfundojnë të prishur dhe të dobësuar në zemra, e me monedha në xhep. Druri më nuk po ka rëndësi për ta. Sa më vonë ta presin, aq më shumë monedha do të mbledhin.
P.S.: diku rreth hamamit të Daut Pashës pastruesi i këpucëve më turpëroi para të gjithë të pranishmëve dhe shkupjanëve që ishin për ngut. Bërtiti me tërë zërin: “Zotëri, po, ju zotëri, ejani, ju lutem, t’jua pastrojmë këpucët!”
O mjeshtër, po hesht, i thashë, mos më turpëro. E mori vesh i gjithë Shkupi se, ja, erdhi një fëmijë fshataresk nga Ohri e mbathjet i ka çizme e të papastra…
Në këtë mendova: po si nuk shpikën një lloj të ri njerëzish – PASTRUES zemrash njerëzore për katarsë njerëzore. Këta njerëz, këta Pastrues, do t’i kishin ndjekur zgjuar politikanët tanë në Maqedoni, e ata me zemra të papastra do t’i kishin treguar publikisht me gishtin tregues, me tërë zërin do t’u kishin bërtitur… Si fishkëllues të së keqes të ishin me politikanët, si pastruesi i këpucëve, prindi punëtor nga Shutka, me këpucët e mia të papastra.
Ndonjë PZNj (pastrues zemrash njerëzore) do të kishte bërtitur me guxim, me vetësakrificë dhe me kurajë: Ti, ti, po ti, ti politikan i korruptar, i prishur, eja këtu të ta pastrojmë zemrën me ligj lkushtetues dhe të ta përkujtojmë se duhet t’ua kthesh paratë e vjedhura popullit. Vetëm sa e mendova këtë, m’u kujtua se asofarë PSNj-sha vetëm se ekzistojnë dhe se gjenden në sektorin civil dhe joqeveritar. Ata janë ata “sorosoidët” që çdo ditë mblidhen para Gjykatës Kushtetuese dhe me zë të hapur i thërrasin të papërgjegjshmit në përgjegjësi. Përveç tyre, ata janë edhe bujqit e zhgënjyer me “po të jap më pak që të të marr më shumë subvencione”. PSNj është çdo nënë që nuk di se çfarë të bëjë me fëmijën e uritur e të sëmurë. Pastrues Zemrash Njerëzore është ai që hallakat kontejnerët. PSNj është ai që me frikërespekt ndaj Zotit ndez qiri në kishë. PSNj është ai që me disiplinë, me trup të larë, lutet pesë herë në ditë. PSNj është ai që kujdeset për 300 dele dhe prej maleve të larta shikon drejt qytetit dhe mendon për prishësinë e politikanëve…
Atëherë m’u kujtua Katica Janeva dhe kalorësit e saj në Prokurorinë Publike Speciale. Kjo ma kujtoi filmin e paharrueshëm “Shtatë samurajët” të Akira Kurosavës. Më kaploi një optimizëm i fortë dhe një dëshirë e fortë për t’i uruar 8 Marsin Janevës, Fatime Fetait dhe Lençe Ristovskës. Gëzuar 8 Marsi, znj. Janeva, znjsh. Ristevska dhe znj. Fetai!
Ju dëshiroj punë të shpejtë dhe të suksesshme!
E di se e dimë të gjithë, por ta përsërisim: Maqedonia dhe qytetarët e saj janë në pyetje!
Sepse edhe ti je Maqedoni!
Përktheu nga maqedonishtja: Arsim Jonuzi