Manifestimi “Mbrëmjet e të drejtave të grave“, nën patronazhin e Qytetit të Shkupit, në edicionin e tij të shtatë që mbahet prej sot deri më 12 mars, përfshin një sërë aktivitetesh, duke kyçur ekspozita, debate dhe shfaqje filmash në disa lokacione: në Kinotekën e Maqedonisë, Qendrën Informative Kulturore si dhe në hotelin Holiday Inn në Shkup.
Sonte me fillim në orën 20, manifestimi do të hapet me ekspozitën “Tregimet e patreguara të superheroinave 3”, në Sallën e Ekspozitave Imperial 1 në QIK.
Me rastin e 8 Marsit, nesër në kuadër të manifestimit do të mbahen më shumë aktivitete. Në hotelin Holiday Inn, nga ora 09:30 do të fillojë konferencë treorëshe për të shënuar 10 vjet që nga miratimi i Ligjit për Mundësi të Barabarta për Meshkujt dhe Femrat, me titull “Financimi i barazisë gjinore dhe Axhenda 2030”.
Përkthimi i vëllimit të tretë të edicionit Historisë e Grave të Perëndimit “Paradoksi i renesansës dhe iluminizmit”, botuar nga Fakulteti Filologjik, do të promovohet në QIK në ora 13, ndërsa në mbrëmje në Kinotekën e Maqedonisë, duke filluar nga ora 20, do të shfaqet filmi “Zëri i lirë i Egjiptit Nawal El Sadavi”, në regji të Konstanze Burkard. Dita e dytë e manifestimit do të përfundojë me debat me temën “Pse feminizmi ka aq shumë armiq.”
Në kuadër të manifestimit “Mbrëmjet e të drejtave të grave”, prej 9 deri më 12 mars parashihet shfaqja e disa filmave: “Tanxher gol”, “Të njohësh lirinë tënde”, “Solidariteti nga aspekti femëror”, “Y”, “Gruaja është njeri”, “Buzëqeshja e vjedhur”, “Përgjigjja”, “Mendja e pathyeshme”, “Aristofani në Dnopole” dhe “Përjashtimi i dyfishtë: gratë e zonave rurale”. Janë paraparë edhe dy debate mbi temat: “Në dy shtigje: Burrat dhe gratë në sport” dhe “Barazia gjinore në axhendën politike”.
Edicioni i shtatë i manifestimit “Mbrëmjet e të drejtave të grave” do të përmbyllet me shfaqjen e filmit “Zoti nuk punon të dielave!”.