Ali Baba, ti dhe grabitqarët e tu i rrasët ushtarët partiakë në institucionet dhe ndërmarrjet publike. Nuk kishte vend për ta, andaj, ose qëndrojnë në këmbë gjatë pjesës më të madhe të orarit të punës, ose janë në shtëpi, duke marrë shtatë-tetëdhjetë për qind të rrogës. Ose, në orar të punës, shesin patate nga bagazhi i automjetit zyrtar.
Për këtë arsye, maqedonasit i konsiderojnë shqiptarët për parazitë, e shqiptarët janë të zemëruar për shkak se ata ende nuk janë të përfaqësuar në institucione. Të gjithë së bashku, duke përfshirë edhe shqiptarët e tu, ende qëndrojnë në heshtje në rreshta dhe paguajnë për të gjithë ushtarët partiakë, së bashku. E përqindjen e dakorduar nuk e përmbushët, sa do që u përpoqët, sepse pronari juaj, në një të punësuar tuajin, punësonte dhjetë nga të vetët. Maqedonasit ju shohin me përbuzje, e dini këtë, apo jo?
Por, dhimbjen që e vuani, e shëroni me milionat e fituara nga provizionet për tenderë. Kur doni më shumë, e doni vazhdimisht, e ulni kokën akoma më shumë dhe i lëshoni poshtë pantallonat tuaja. Janë pantallona të shtrenjta, kështu që nuk rrudhen gjatë zhveshjes…
Njeriu i vogël i kostumosur që sheh Hugh Grant-in dhe dëshiron të jetë si gjenarali Custer, i njohur për kapjen e njerëzve përreth për qafe apo veshi, vetëm kalimthi ju urren dhe ju trajton si indianë. Të tjerat i bëni vetë.
Ali Baba do të kishte rrënuar edhe një fshat të tërë për të kënaqur pronarin e tij #Ж. Edhe ju e quani këtë kujdes për shqiptarët?
Nëse e kishit për shqiptarët, do t’u siguronit vende dinjitoze pune ushtarëve tuaj partiakë, të cilët i rrasët nëpër qoshet e burokracisë. Rrugë nuk kanë as shqiptarët, e as “populli” i bosit tuaj #Ж.
Nëse e kishit për shqiptarët, do të siguronit drejtësi për të burgosurit në rastin e Sopotit. Nëse e kishit për të drejtat e njeriut, nuk do të kishit ministrin e ‘stonuar’ të drejtësisë, i cili aprovonte çdo gjë që thoshte pronari. Bosi #Ж, kuptohet. Ali Baba dhe banditët e tij janë vetëm njerëz të vegjël – ushtarë.
Nëse e kishit për shqiptarët, do t’u jepnit arsim, të paktën pak më të mirë se sa ai, të cilin e ka ministri i juaj Mendeleev.
Nëse e kishit për shqiptarët, do t’u jepnit spitale dhe mjekë, do t’u jepnit ajër dhe ujë, do t’u jepnit kanalizime. Nuk do të lejonit të mbyten dhe ngulfaten në fekalie.
Ju dëshironi të bëni luftë me urdhër të shefit tuaj #Ж, për të shpëtuar prapanicën e tij dhe tuajën. Është e qartë për të gjithë, duke përfshirë edhe ata që janë nën çadra me ju. Është e qartë edhe për ata, të cilët e ngrenë dhe e mbrojnë kryqin. Është e qartë edhe për ata punëtorë të shkretë, të cilët e vendosën shqiponjën me dy krerë më parë. Shumë ashiqare, bre! Ju vendosni shqiponjën, e pronari i juaj menjëherë vë kryq. Siç thotë logjika e të urtit anonim, autor i grafitit “Lubçoja na vuri një kryq, Nikolla na ngriti monument”, kështu edhe ju dhe patroni juaj luani – ju shqiponjë, ai kryq. Dëshironi që të na varrosni të gjithëve? Kështu duket.
Ajo vajzë e bukur, e shkolluar në shkollat e huaja, është e radhës të tregojë se me çfarë ju detyruan “të përhershmit e partisë” që të bëheni shërbëtorë të përulur, hyzmeqarë të çnjerëzisë. Të jeni konsilierë dhe lëpirës të çizmeve.
Që ai, padroni #Ж, të godasë me shkelma, të grabisë, të burgosë dhe vrasë.
Nuk do të kishte komandantë që u betuan në shqiponjë, e tani janë shpërndarë nëpër botë ose janë dy metra nën tokë, e as prej atyre që u betuan në luanin dhe diellin, që më pas të gjunjëzohen nëpër vrima të errëta dhe të qelbura, në kërkim të mbeturinave nga gostitë tuaja të përbashkëta.
Në qoftë se ju dhe pronari i tuaj # Ж e bënit për “popullin”, çfarëdo që do të thotë kjo për ju, ai nuk do të ishte i uritur, dhe i përvuajtur për ikur në Evropë.
Nëse padroni i tuaj #Ж e kishte për “populli maqedonas”, të cilin e thërret për t’u shumuar me çdo kusht, në mënyrë që t’i bëjë ballë “fisit indian”, nuk do të vdisnin lehonat dhe foshnjat në spitalet e tmerrit.
Nëse bosi #Ж e kishte për popullin, nuk do ta mbyllte në atë kafaz grotesk prej gjipsit dhe grilave prej shtyllve të barokut, ku njeriu i gjallë kushton më lirë se sa llamarinat për shenja dhe udhërrëfyes. Nuk do të ngente monumente të vdekura të çmendurisë, e të shkelë dinjitetin e njerëzve të gjallë. Nuk do të shndërronte fëmijët në mish te grirë, e punëtorët në skllevër.
Të dëgjueshëm pa turp dhe perde, grabitës pa nder, kjo jeni ju! Të dyja palët. Nuk mund të mashtroni askënd. Prandaj, lëshojini fëmijët në shtëpi dhe përballuni me drejtësinë. Kjo që po e bëni, nuk do të kalojë. Jo më.