Punëtoret dhe punëtorët seksualë në Maqedoni për herë të dytë marrin mbrojtje nga gjykata e shkallës së parë kundër veprimeve të paligjshme të policisë dhe të gjykatës penale.
Në pres-konferencën e sotme, organizata joqeveritare HOPS – Opsione për Jetë të Shëndetshme, informoi për zhvilimet lidhur me operacionin policor “Ndalim i prostitucionit të rrugës” nga viti 2008, në të cilin u arrestuan 32 njerëz, duke përfshirë 23 punëtore seksuale. Pas operacionit të zbatuar, policia në mënyrë të paligjshme i ka mbajtur punëtorët seksualë në arrest më shumë se 20 orë, në kushte çnjerëzore dhe degraduese, ndërsa të burgosurit e tjerë kanë qenë të liruar vetëm disa orë pas arrestimit.
Siç kumtoi HOPS, në operacionin u janë shkelur të drejtat e punëtoreve seksuale, përderisa katërmbëdhjetë punëtorë seksualë, për herë të parë në Maqedoni, janë inkurajuar për të kërkuar mbrojtje gjyqësore në bazë të ligjit, dhe kanë ngritur padi në Gjykatën Themelore Shkup 2, kundër MPB-së dhe Gjykatës Themelore Shkup 1.
Pas shtatë vitesh, në procedurën e përsëritur, Gjykata Themelore Shkup 2 pjesërisht e miratoi kërkesën e punëtoreve seksuale dhe përsëri konstatoi se MPB, në këtë rast i pandehuri i parë, gjatë zbatimit të operacionit policor “Ndalimi i prostitucionit të rrugës”, ka shkelur dispozitat e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Me të njëjtin aktgjykim, gjykata ka konstatuar se Gjykata Themelore Shkup 1, institucioni i dytë i akuzuar, po ashtu ka shkelur këto të drejta, me atë që në vend se t’u sigurojë paditësve mbrojtjen e të drejtave, ka dhënë urdhër gjykate për testimin e gjakut, bazuar vetëm në kërkesën e të pandehurit të parë, pa asçfarë dëshmie, me të cilat do të konfirmohej se ekziston dyshim i arsyeshëm. Për shkak të kësaj, gjykata vendosi që paditësve t’u jepet kompensim ligjor për dëmin jomaterial dhe për pësimin e dhimbjes fizike dhe psikike.
“Edhe pse vendimi nuk është i plotfuqishëm, besojmë se i njëjti është i rëndësishëm për praktikën juridike në Maqedoni dhe përforcimin e punëtoreve seksualë për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Për herë të parë në Maqedoni, një grup i margjinalizuar si punëtorët seksualë, të cilët vazhdimisht dhe për çdo ditë janë të ekspozuar ndaj dhunës, u inkurajuan për të kërkuar mbrojtjen gjyqësore për të drejtat e tyre para gjykatave kombëtare”, konsideron Voskre Naumovska Ilieva, me të cilën bisedoi CIVIL Media.
Në pres-konferencë u shfaq edhe videoja “Duhet të dish për mua”, në të cilën punëtorët seksualë flasin për problemet, me të cilat ballafaqohen.