“Të jesh një shkencëtar në Maqedoni, pavarësisht nga gjinia, është shumë vështirë, sepse shteti nuk parashikon buxhet për punë hulumtuese – shkencore”, thotë Katerina Baçeva – Andonovska, një shkencëtare e re, e cila në vitin 2012 e fitoi çmimin “Shkencëtari më i mire i ri”, të cilin çdo vit e ndan presidenti Gjorge Ivanov. Ajo është femra e vetme që ka fituar çmimin në vitet e fundit.
Baçeva – Andonovska e ka marrë çmimin për punë hulumtuese shkencore në fushën e kimisë analitike dhe kimisë së mjedisit jetësor, me theks të veçantë në studimet e ndotjes së mjedisit jetësor në Republikën e Maqedonisë me metale të rënda. Ajo është lindur në vitin 1984 në Kavadar, ka magjistruar në shkencat kimike në Fakultetin e Shkencave të Natyrore dhe Matematikore të Universitetit “Shën. Kirili dhe Metodi “në Shkup. Disertacioni i saj i doktoratës është në temën “Shpërndarja e metaleve të rënda dhe toksike në mostrat nga mjedisi jetësor në rrethinën e minierës Alshar”.
CIVIL Media bisedoi me Baçeva – Andonovskën, e cila është e punësuar si hulumtues shkencor në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë -ASHAM, me rastin e 11 shkurtit – Ditës Ndërkombëtare të Grave në Shkencë.
CIVIL Media: Si është të jesh një grua shkencëtare në Republikën e Maqedonisë?
Baçeva – Andonovska: Ashtu si dhe çdo profesion tjetër, me atë dallim se që të jesh shkencëtar ne Republikën e Maqedonisë (pavarësisht nga gjinia) me të vërtetë është e nevojshme një dëshirë të madhe dhe dashuri për këtë profesion. Për shkak se Maqedonia është një nga vendet e pakta që nuk kanë fare buxhet për hulumtime shkencore. E puna hulumtuese – shkencore është e pamundur pa mjete të mjaftueshme për punë eksperimentale.
CIVIL Media: A jeni përballuar me pengesa në punë, vetëm për shkak të patriarkalizmit të shoqërisë maqedonase, vetem sepse jeni grua?
Baçeva – Andonovska: Edhe pse mund të thuhet se shoqëria maqedonase është patriarkale (ndoshta jo aq shumë, si më herët), lirisht mund të them se asnjëherë nuk jam ballafaquar me pengesa të këtij lloji. Për më tepër, kohën e fundit, gjithnjë e më shume takoj femra që merren me shkencë.
CIVIL Media: Çdo ditë ritet numri i të rinjve që largohen nga vendi. Cilat janë arsyet që ju vendosët të qëndroni në Maqedoni, dhe vallë mendoni për ta vazhduar karrierën tuaj jashtë vendit?
Baçeva – Andonovska: Është i frikshëm fakti se çdo ditë ritet numri i të rinjve që largohen nga vendi. Është tepër e qartë se ky trend ka prurë një ulje të ndjeshme të numrit të të rinjve të arsimuar në vend, në të cilët ka investuar shteti dhe të cilët duhet të udhëheqin përparimin. Me injorimin e këtij trendi, Maqedonia rrezikon të mbetet pa të rinj me potencial, të cilët sigurisht se janë më shumë se të nevojshëm për vendin. Nuk mund të them se nuk ka ndonjë arsye të veçantë që jam ende në Maqedoni, ndoshta ajo se unë nuk heq dorë aq lehtë. Edhe pse asnjëherë nuk e çkyça opsionin për ta vazhduar karrierën jashtë vendit, gjithmonë në vend të parë e kam pasur familjen time, që më jep arsye të mjaftueshme për të qëndruar këtu.
Marija Tegovska