Kategoritë

EKOLOGJI “Jugohrom” do të rifillojë me punë në pranverë

Fabrika “Jugohrom” nga Jegunovca, do të rifillojë në mars ose prill vitin e ardhshëm. Sot në Qeveri, zëvendës kryeministri Koço Angjushev, udhëheqësi i fabrikës, Vasko Skenderovski dhe kryetari i sindikatës, Bajram Amiti, do të nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi dhe rifillim të fabrikës, ku ishin të punësuar rreth 800 punëtorë.

 

Sipas “Eco-Guerilla” “Jugohromi” nuk mund të rifillojë pa vendosur filtra dhe pa i plotësuar standardet ekologjike.

 

“Vlerësojmë se deri në mars apo prill sikurse njoftuan nga Qeveria nuk do të plotësohen kushtet ligjore për mbrojtje të ambientit jetësor, dhe për këtë arsye reagojmë ndaj deklaratës së kryeministrit Zoran Zaev se “Jugohromi” do të mund të hapet në atë periudhë. Theksojmë se pas mbylljes së fabrikës, ajri në Tetovë për 60% është më i pastër dhe vlerësojmë se nuk vlen asnjë kompromis i cili do të jetë në dëm të shëndetit të qytetarëve. Qytetarët me muaj protestuan kundër vendimeve të qeverisë që t’i jepen afate të reja “Jugohromit”. Afatet kanë kaluar, ndërsa qytetarët ishin të vetëdijshëm se kush është ndotësi. Sipas kësaj vlerësoj se rifillimi i fabrikës do të nxit reagim të ashpër tek qytetarët, deklaroi Arianit Xhaferi, për CIVIL Media.

 

“Jugohromi” është mbyllur pothuajse para një viti, me 2 nëntor të vitit 2016. Udhëheqësia vendosi që të zbatoj Vendimin e inspektoratit kompetent, që fabrika të pushoj me punën, pasi që ende nuk është ndërtuar stacion filtrimi në afatin e paraparë, 30 tetor viti 2016.

Që atëherë  të punësuarit në fabrikë, shumë herë nëpërmjet protestës e kanë manifestuar pakënaqësinë e tyre, me kërkesë që fabrika duhet të punojë, si dhe në ndërkohë të vijon ndërtimi i stacionit filtrues.