Kategoritë

KOLUMNË Gishti i mesëm për Amdi Bajramin

Shkruan: Sasho Ordanoski

Një nga bashkëpunëtorët më besnikë të Familjes, palaçoja politik Amdi Bajram – ju lutem, nuk është hera e parë që e kualifikoj politikisht dhe jam i gatshëm këtë ta dëshmoj, nëse ka nevojë – po përjeton ditë të rënda. Birin e tij, realisht, e kanë rrahur keq. Mirë që Elvisi ka kaluar relativisht më mirë sesa ka mundur edhe më ndryshe të mbarojë kjo punë. Madje, për dhunën nuk është e arsyeshme edhe fakti që Elvisi me të vërtetë i ka shqyer pllakatet e ngjitura nga mbështetësit e Dudushit…Hej, Grejslend, kjo është!

Mirëpo, Amdiu në fakt frikohet se kjo përshëndetje e dhunshme është vetëm fillim i vështirësive të tija. Amdiu nuk ka harruar se cilit ia ka treguar gishtat e mesëm dhe bërrylat e lakuar me grusht, nuk ka harruar edhe kur e kapën për fyti Shekerinskën në Shutkë në një nga zgjedhjet e kaluara, e vetëm ai e din se sa persona në Luginën e Hareshme kanë ngrënë dajak me, të themi, dijeninë e tij. Plus, para disa ditësh lajmëruan se në Qendrën Tregtare të Shkupit, me të cilën deri në zgjedhje, me vite drejtonte personeli i tij partiak, udhëheqësia e  re nuk mund ta gjejë taksiratin afër dy milionë euro…

Tani Amdiu e ka të qartë se do ti humbë zgjedhjet vendore, sepse sistemi që ai vetë e reklamonte, është i tillë: Romët çdo herë shkojnë me pushtetin!

Por, kjo do të ishte edhe e kuptueshme, nëse bëhej fjalë për pragmë politike e cila i sjell bashkësisë rome ndonjë interes. Problemi është se u tregua se nuk i sjell, përveç interesin për vetë Amdi Bajramin dhe “bandën” e tij të afërt. Dhjetëra vite Amdiu fotografohej, bënte lajka, bënte budallaki dhe ishte kamarier në të gjitha zgjedhjet për Familjen, ndërsa numri i Romëve që varen nëpër kontejnerë vetëm rritej, grave rome as gjinekolog nuk u solli në Shutkë. Mbetën të jetojnë mjerueshëm në skajet e shoqërisë, duke u lutur për ndihmë sociale nga dy tre mijë denarë për muaj. Në Shkup nuk ekziston udhëkryq më i madh i cili viteve të fundit nuk është e kapluar nga armata e lypsarëve romë ose nga hardhi të Romëve të rinj të cilët pak pastrojnë, e pak edhe i njollosin dritaret mbrojtëse të veturave.

Lexoj të dhëna të viteve të kaluara: në moshë deri 3 vite më pak se 1% nga fëmijët e Romëve shkojnë në çerdhe, nën 60% e kryejnë shkollën fillore, ndërsa vetëm 25% shkollën e mesme, me numër shumë më të vogël të vajzave sesa të djemve. Do tu lë ta qëlloni se sa nga Romët arrijnë të kryejnë fakultetin (ndihmë: përqindja fillon me 0 presje…), por më  keqja është se këto trendë, me kalimin e viteve, nuk tregojnë përmirësime. Përkundrazi.

Me rëndësi Qeveria ka edhe program të vjetër edhe të ri (2014 – 2020) për “implementimin e strategjisë për Romët në Republikën e Maqedonisë përmes përmirësimit të proceseve udhëheqëse strategjike dhe operative”…Dhe kur ta dëgjosh këtë pallavrë për “proceset e udhëheqjes”, e ke të qartë se nga kjo nuk bëhet asgjë.

Pra, në këtë realitet jeton personazhi ynë Amdi Bajram, i cili nuk është vetëm në opozitë në nivel nacional, por së shpejti edhe do të ik nga pushteti dhe nga sundimi i ndërtesës komunale në Shutkë. Romët atje përgatiten t’ia tregojnë armën politike Amdiut: gishtin e mesëm. E pastaj, kushedi ku do të arrijë Amdiu, shoku besnik i Grujos.