Rreth 80 përqind e grave të papuna mbi 50 vjet në vendin tonë janë pa punë për më shumë se një vit, 23 përqind e tyre presin pesë deri në shtatë vjet për tu punësuar, ndërsa 13 përqind më shumë se tetë vjet. Arsyet më kryesore se pse gratë e moshuara e kanë të vështirë të gjejnë punë janë mungesa e shkathtësive të reja digjitale që i bëjnë ato jo konkurruese në tregun e punës, e kanë më të vështirë të vendosin të marrin pjesë në trajnime për t’i përmirësuar njohuritë e tyre, ndërsa vitet e gjata të papunësisë i dekurajojnë ata që të kenë besim në njohuritë e tyre të mëparshme, transmeton Portalb.mk.
Instituti Ekonomik nga Shkupi ka filluar një projekt “Identifikimi i shkaqeve të papunësisë afatgjatë të grave të moshuara në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi”, i cili do të zbatohet në të dy vendet dhe në fokus të të cilit janë gratë e papuna mbi 50 vjet, të cilat përfaqësojnë një nga kategoritë më të vështira për t’u punësuar të tregut të punës në vend.
Drejtori i Institutit Ekonomik, Zoran Janevski, theksoi se në 18 muajt e ardhshëm do të hulumtohen gratë banore të rajonit të Shkupit dhe Beogradit, me qëllim që të identifikohen shkaqet e papunësisë, si dhe të propozohen masa, zgjidhje dhe politika për tejkalimin e kësaj situate bazuar në përvojat e mëparshme të Sllovakisë dhe Polonisë.
“Tema e projektit ka një rëndësi të madhe për vendin sepse papunësia afatgjatë e grave të moshuara mbetet një problem serioz socio-ekonomik. Projekti i hulumton arsyet që i pengojnë gratë mbi 50 vjet të punësohen dhe adreson nevojat dhe sfidat e tyre unike në tregun e punës. Me rritjen e punësueshmërisë së tyre do të rritet edhe përfshirja sociale dhe do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin e vendit”, tha Janevski.
Gjatë këtij projekti do të anketohen rreth 150 gra nga rajoni i Shkupit dhe do të identifikohen problemet me të cilat ballafaqohen përderisa janë në proces të kërkimit të një pune, cilat janë arsyet pse nuk janë të motivuara sa duhet për të kërkuar punë, si dhe cilat janë shkathtësitë që u mungojnë, e për të cilat kanë nevojë punëdhënësit e mundshëm
“Shkathtësitë ndryshojnë shumë shpejt, kështu që edhe më të rejat duhet të trajnohen vazhdimisht nëse duan të jenë konkurruese dhe kompetente në tregun e punës dhe nëse duan t’i ndjekin ndryshimet në proceset e punës. Me këtë projekt ne duam që t’i inkurajojmë punëdhënësit që ta shohin këtë kategori si punonjës të mundshëm, se edhe pse nuk mund t’i përmbushin kërkesat e të gjitha vendeve të punës, me siguri mund të gjejnë një vend ku mund të japin më të mirën e tyre dhe të sigurojnë një të ardhme më të sigurt”, thotë Aleksandra Llozanoska, koordinatore e projektit nga Instituti Ekonomik.
Siç tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave dhe të Agjencisë për Punësim numri i grave të afta për punë në moshë nga 50 deri në 64 vjet, të cilat janë të papuna në gjashtë vitet e fundit është përgjysmuar. Numri i përgjithshëm i grave të papuna në vend është rreth 52.000, nga të cilat 19.000 janë mbi 50 vjet. Prej tyre 71 përqind nuk kanë arsim ose kanë vetëm arsim fillor, ndërsa 8,7 përqind kanë arsim të mesëm të pa mbaruar. Numri më i madh i tyre, 44 përqind janë maqedonase, 37 përqind janë shqiptare dhe 9 përqind janë rome. Në rajonin e Shkupit jetojnë 11.000 gra të papuna mbi 50 vjet.
Burimi: Portalb