Kuvendi sonte pas debatit pesëditor me 63 vota “për” 36 “kundër” dhe asnjë abstenim e miratoi Buxhetin për vitin e ardhshëm. Të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 238.9 miliardë denarë apo 30.9 për qind nga PBV-ja, ndërsa shpenzimet janë projektuar në nivel prej 272,4 miliardë denarë që është për 1,4 për qind më shumë se sivjet.
Deficiti planifikohet në nivel prej 33,5 miliardë denarë apo 4,3 për qind nga BPV-ja dhe është më i ulët për 2,2 pikë përqindje në krahasim me deficitin e vlerësuar në vitin 2021. Për investime kapitale për vitin e ardhshëm janë paparë 37,8 miliardë denarë, që është për 27 për qind më shumë në krahasim me vitin 2021. Është ruajtur e a.q. “Rregulli i artë në financa”, gjegjësisht deficiti buxhetor është më i vogël se shpenzimet kapitale. Sipas ministrit të Financave Fatmir Besimi, me Buxhetin do të sigurohet financim të papenguar të funksioneve bazë të shtetit, do të përshpejtohet rritja ekonomike dhe do të jepet mbështetje në proceset reformuese në gjyqësor dhe në proceset eurointegruese.
“Qëllimet e Buxhetit janë vazhdimi i kujdesit për shëndetin e qytetarëve, rimëkëmbjen e ekonomisë, konsolidimi fiskal dhe financimi pa pengesë i funksioneve bazë të shtetit. Politikat e Buxhetit bazohen në dokumentet strategjike siç janë programi i reformave në koordinim me BE-në, Plani për përshpejtimin e rritjes ekonomike, dokumenti për qëndrueshmëri fiskale dhe Plani për investime”, tha Besimi në fjalimin përmbyllës. Si karakteristika të Buxhetit, Besimi i theksoi rritjen e investimeve kapitale, uljen e shpenzimeve rrjedhëse veçanërisht për mallra dhe shërbime dhe vazhdimin e transparencës në menaxhimin me e parave publike. “Diskutimi gjithëpërfshirës për Buxhetin kontribuoi në përmirësimin e cilësisë. U pranuan 23 amendamente në vlerë prej 382 milionë denarëve. Mund të them se pjesëmarrësit ishin të gjithë deputetë”, tha Besimi, duke u shprehur falënderim të gjithë deputetëve për debatin konstruktiv.
Gjatë debatit pesëditor, pushteti dhe opozita paraqitën qëndrime të kundërta. Për deputetët e pushtetit, Buxheti është zhvillimor dhe në drejtim të përballjes më të mirë me krizën energjetike dhe shëndetësore, Konsiderojnë se Buxheti është miratuar përmes procesit transparent dhe inkluziv për çka dëshmi janë 23 amendamentet e pranuara në vlerë të përgjithshme prej rreth 382 milionë denarëve prej të cilave pjesa më e madhe janë nga opozita. Ndërkaq për opozitën, Buxheti është joreal me numër të madh të investimeve kapitale të cilat nuk do të realizohen. Sipas tyre, pushteti nuk ka kapacitet t’i zbatojë qëllimet prioritare të qytetarëve dhe shtetit.
Në suaza të mbledhjes së sotme u soll edhe Ligji për ekzekutim të Buxhetit për vitin 2022. Propozim-buxheti u miratua më 30 tetor nga ana e Qeverisë. Propozim-buxheti më pas iu parashtrua Kuvendit, ku kaloi nëpër debat dhjetëditor në Komisionin kuvendor për financim dhe buxhet dhe sërish u kthye në Qeveri, ku u pranuan 23 amendamentet. Më pas sërish u kthye në Kuvend, ku në mbledhje plenare pesë ditë u diskutua rreth tij.