Kryesia e ngushtë e Alternativës e vazhdoi debatin rreth mbështetjes së mocionit për rrëzimin e Qeverisë së Maqedonisë, ku u vendos që të gjithë deputetët e kësaj partie të votojnë njëzëri për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Zoran Zaev, transmeton Portalb.mk.
Partitë opozitare shqiptare dhe maqedonase, të mbështetur edhe nga Lëvizja Besa, kanë dorëzuar mocionin e votëbesimit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Por, së fundmi pjesë e debatit për rrëzimin e Qeverisë ishte edhe (pa)mundësia e deputetit të Alternativës, Zejd Rexhepi, për të rrëzuar Qeverinë LSDM-BDI së bashku me dy deputetët e Levicës.
Megjithatë, ai sqaroi që vendimi i kryesisë së ngushtë të partisë do të merret sot, ashtu siç ishte paralajmëruar.
Në një deklaratë për Sitel, Rexhepi ka sqaruar që do të dorëzohet propozim i ri me 61 deputetë për rrëzimin e Qeverisë, listë ku pretendohet të mos jetë edhe Levica. Ky ishte propozim i paraqitur nga deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikola Micevski.
Partia opozitare Alternativa përmes zëdhënësit Orhan Murtezani dje ka bërë të ditur që në partinë e tyre janë duke u zhvilluar takime të Kryesisë së ngushtë, ku u vendos që çdo vendim që do të merret do të respektohet nga të gjithë deputetët.
Ndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka pranuar kërkesën për votimin për besimin ndaj Qeverisë dhe e njëjta është arkivuar nga shërbimet përgjegjëse. Kërkesa u dorëzua nga ana e VMRO – DPMNE-së, pasi Zaev nuk dorëzoi dorëheqjen e paralajmëruar në Kuvend në afatin që i vendosi si ultimatum partia opozitare.
Paraprakisht, deputeti i Alternativës, Skender Rexhepi (Zejdi), i cili ditëve të fundit përflitej në media se nuk do të nënshkruaj për rrëzimin e Qeverisë, më në fund ka folur publikisht duke konfirmuar informatat se nuk do të pranojë që nënshkrimi i tij të jetë në listë me partinë e “E majta”.