Integrimi i Maqedonisë së Veriut dhe rajonit në familjen evropiane të kombeve do të forcojë stabilitetin dhe kohezionin e Unionit sepse bëhet fjalë për përfundimin e procesit të bashkimit, theksoi zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Nikolla Dimitrov në takimin e sotëm në Shkup me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Benedeto Della Vedova, i cili është për vizitë pune në vend.
“Ballafaqimi me krizën KOVID-19 theksoi nevojën për të lëvizur politikën e zgjerimit dhe kompletimit të Evropës me Ballkanin Perëndimor, e cila nga ana tjetër është një mundësi për të zhvilluar modalitete për thellimin e bashkëpunimit dypalësh. Investimi në këtë çështje është i madh dhe vlerat evropiane dhe integrimi nuk duhet të jenë peng i çështjeve dypalëshe”, tha Dimitrov.
Ai theksoi se periudha e ardhshme është thelbësore për të ardhmen e procesit të integrimit evropian, i cili përfshin reformat e brendshme në Union, por edhe evropianizimin e Ballkanit Perëndimor.
Pala italiane riafirmoi mbështetjen e saj të fortë për realizimin e perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut, për të cilën është e nevojshme të fillojnë negociatat e anëtarësimit me Unionin sa më shpejt të jetë e mundur, si dhe ndikimin e kësaj çështje në të ardhmen evropiane të rajonit .
Fokusi kryesor i takimit, kumtoi SÇE ishte rëndësia e politikës së zgjerimit për të siguruar një të ardhme të përbashkët evropiane që do të përmirësojë marrëdhëniet politike dhe ekonomike të Italisë me vendin dhe rajonin, me theks të veçantë në sfidat dhe pengesat e Maqedonisë së Veriut në rruga drejt BE-së.
Ata diskutuan gjithashtu angazhimin për axhendën e reformave evropiane dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dypalësh midis dy vendeve në fushat kryesore të reformave, i cili zhvillohet përmes instrumenteve të asistencës teknike për forcimin e kapaciteteve për harmonizimin me ligjin e BE, por gjithashtu korniza investuese.