Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në margjinat e Sesionit të Tetë Plenar të AP-së së PBEJL-së, që u mbajt dje në Antali, realizoi takim bilateral me Mustafa Shentop, Kryetar i Kuvendit të Madh Nacional të Turqisë.
“Xhaferi i uroi Kryetarit Shentop për kryesimin e suksesshëm të Turqisë me PBEJL-në, që paraqet formën e parë rajonale autoktone të bashkëpunimit dhe zërin autentik për rajonin që promovon vlerat e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit duke ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore dhe duke e rritur bashkëpunimin rajonal” thuhet në kumtesën e Kabinetit të Xhaferit.
Xhaferi theksoi se mbajtja e komunikimit intensiv në nivel të lartë midis shteteve, kontribuon fuqishëm në përparimin e marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale.
“Maqedonia e Veriut dhe Turqia ndajnë vlera të përbashkëta për paqen dhe stabilitetin në rajon, përmes marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal”, theksoi ai.
Kryetari i Kuvendit falënderoi për faktin që Republika e Turqisë është mbështetëse e fortë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe i vlerëson pozitivisht proceset e reformave dhe përparimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Ai më tej vuri në dukje se Maqedonia e Veriut është e vendosur së bashku me Turqinë për t’i promovuar dhe ndarë vlerat dhe përgjegjësitë e përbashkëta të NATO-s, si vendi i 30-të anëtar i Aleancës.
Kryetari Xhaferi vuri në dukje se marrëdhëniet intensive dhe të mira hapin hapësirë për bashkëpunim edhe më intensiv ekonomik midis dy vendeve, duke qenë se Turqia është ndër partnerët më të rëndësishëm tregtarë të vendit tonë dhe një nga investitorët më të mëdhenj.
“Lidhur me formimin e Sekretariatit të Përhershëm të AP-së së PBEJL-së, Kryetari Xhaferi theksoi se duhet të bëhen përpjekje për të zgjidhur këtë çështje në mënyrë konstruktive dhe të frytshme menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare në Bullgari dhe për të gjetur kompromis për të zgjidhur përfundimisht këtë çështje”, informojnë nga Kabineti i Xhaferit.
Shentop u shpreh i kënaqur me pjesëmarrjen e Kryetarit Xhaferi në Sesionin e Tetë Plenar të AP-së së PBEJL-së dhe kujtoi rëndësinë e PBEJL-së si forum politik kryesor në bashkëpunimin rajonal dhe faktor për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin në EJL.
“Ai theksoi se përkundër miqësisë së fortë dhe bashkëpunimit të frytshëm, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Turqisë janë të lidhura me lidhje historike dhe kulturore. Theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është shembull në rajon se si të ndërtojmë shoqëri ku ekzistojnë grupe, kultura dhe gjuhë të ndryshme etnike”, thuhet në njoftimin e Kabinetit të kryetarit të Kuvendit.
Ai më tej vuri në dukje se gjendja shëndetësore e popullsisë me Kovid-19 me të cilën përballet e gjithë bota tregon nevojën për bashkëpunim të përbashkët midis vendeve për t’i tejkaluar sfidat. Me diplomacinë humanitare, Turqia ka bërë përpjekje për t’i zbutur pasojat e pandemisë dhe se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Në fund, bashkëbiseduesit ranë dakord që marrëdhëniet bilaterale midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë të zhvillohen në frymën e miqësisë së fortë tradicionale, mirëkuptimit reciprok, partneritetit dhe bashkëpunimit aktiv në fusha të shumta me interes të përbashkët.
“Marrëdhëniet e mira dhe miqësore midis dy vendeve pasqyrohen edhe në bashkëpunimin e frytshëm parlamentar që do të vazhdojë në të ardhmen. Të dy kryetarët përshëndetën përzemërsisht të gjithë deputetët e të dyja parlamenteve, duke shpresuar se bashkëpunimi në të ardhmen do të ishte edhe më konstruktiv dhe i frytshëm”, theksohet në njoftimin e Kabinetit të Xhaferit.