Është koha e fundit që Bashkimi Evropian t’i përmbushë premtimet dhe t’i fillojë negociatat inkuadruese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, thotë ministri shtetëror gjerman për Evropë, Mihael Rot, i cili sot vjen për vizitë dyditëshe në Shkup.
“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është evropiane, duhet të veprojmë me vendosmëri tani në mënyrë që të mos ketë dyshim në të”, shkroi Rot në Tuiter.
Ministri shtetëror gjerman për Evropë, në ditën e parë të qëndrimit në Shkup, do të ketë takim me homologun e tij, zëvendëskryeministrin e angazhuar për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov.
Siç njoftoi Sekretariati për çështje evropiane, vizita e ministrit Rot vjen në prag të takimit të qershorit të Këshillit të BE-së për punë të përgjithshme, ku ai e përfaqëson Gjermaninë, kështu që në atë kontekst theksi i bisedës me Dimitrovin do të vihet në tejkalimin e sfidave dhe pikëpamjeve për miratimin e kornizës negociuese për vendin me qëllim të mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në.
“Duke pasur parasysh angazhimin e zëshëm dhe aktiv të Gjermanisë gjatë dhe pas kryesimit me BE-në, kjo vizitë paraqet vazhdim të përpjekjeve gjermane për depërtim të përbashkët në rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Në takim, do të diskutohet edhe për të ardhmen e Procesit të Berlinit dhe samitin që është paraparë të mbahet në Berlin këtë vit, si dhe për tema të tjera dhe çështje lidhur me perspektivën evropiane të vendit dhe rajonit”, ceket në njoftimin e SÇE-së.
Ambasada gjermane në Shkup, ndërkaq, informoi se përveç me Dimitrovin, Rot do të ketë takime edhe me kryeministrin Zoran Zaev dhe me përfaqësues të partive politike dhe të shoqërisë civile.