Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska bashkë me ambasadoren e SHBA-së, Kejt Bërnz, sot në poligonin e armatës “Krivollak” do t’i vizitojnë pjesëtarët e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe forcave të armatosura të SHBA-së, të cilët bashkërisht punojnë në ndërtimin e përmbajtjeve të reja të poligonit, para fillimit të stërvitjes ndërkombëtare “Goditja vendimtare 21”.
Siç kumtuan nga Ministria e Mbrojtjes, në kuadër të vizitës, ministrja Shekerinska dhe ambasadorja Bërnz do të japin deklarata për mediat.
Stërvitja “Goditja vendimtare 21” do të realizohet në periudhën prej 17 maj deri më 2 qershor në PA “Krivollak” dhe në të është paraparë që të marrin pjesë rreth 2.000 pjesëtarë të armatave të SHBA-së, Greqisë, Bullgarisë dhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Deri në vetë fillimin e ushtrimit do të realizohen disa aktivitete inxhinierie, gjegjësisht rregullim të poligonit “Krivollak” që do të mundësojë realizim pa pengesa të aktiviteteve stërvitore.
Ngjarja organizohet sipas protokolleve që vlejnë për mbrojtje shëndetësore, mbajtje të distancës dhe mbajtje të maskave mbrojtëse. Nga Ministria e Mbrojtjes bëjnë thirrje gjatë ngjarjes të respektohen masat e shënuara.