Personat të cilët e kanë kaluar Kovid-19 mund të vaksinohen me një dozë të vaksinës, në pajtim me rekomandimet.
Këtë sot në konferencë për shtyp e theksoi ministri I Shëndetësisë, Venko Filipçe duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve lidhur me atë se personat, të cilët e kanë kaluar infektimin me Kovid-19 nuk ndodhen në planin për imunizim, me arsyetimin se kanë antitrupa.
Filipçe përmendi se plani është fleksibil dhe mund të ndryshohet në pajtim me rekomandimet e reja dhe qasjen drejt vaksinave, si dhe se po shqyrtohet mundësia që ata persona të marrin certifikatë, si garancë se kanë imunitet, nëse duhet të udhëtojnë dhe t’I përmbushin obligimet e tyre profesionale.
“Po e presim vendimin zyrtar nga ana e Komisionit evropian, së pari nëse do të kërkohet një certifikatë e tillë, si do të jetë ajo certifikatë, e cila do të vlejë çdo kund në Evropë, e më pas jemi të gatshëm të bëjmë edhe certifikata të tilla në mënyrë që të mund t’u shërbejnë qytetarëve”, shtoi Filipçe.
Komisioni evropian sot duhet ta miratojë propozimin për vendoje të “certifikatës digjitale shëndetësore” për qytetarët e BE-së të cilët udhëtojnë në kuadër të Unionit, që do të përmbajë informata për atë nëse ndonjë person është vaksinuar me vaksinë për koronavirus miratuar nga Agjencia evropiane për medikamente, ka përfituar imunitet pasi që është shëruar nga Kovid-19 apo ka bërë PCR test.
Ajo “certifikatë shëndetësore”, siç cekën përfaqësues të KE-së, është dedikuar për qytetarët e vendeve të BE-së, ndërsa kur bëhet fjalë për udhëtarë nga Ballkani Perëndimor dhe pjesë të tjera të botës, Komisioni më vonë do të bisedojë me Organizatën botërore të shëndetësisë dhe me Organizatën për fluturime ndërkombëtare civile për atë se çfarë lehtësime mund të vendosen edhe me zbatim të standardeve teknike, interoperative dhe ndërkombëtare.