Në rrjedhën e deritanishme të debatit në kuvend për Draft-konceptin për arsimin fillor u dëgjuan qëndrime për mbështetje, por edhe kërkesa që ai të tërhiqet për shkak se nuk është gjithëpërfshirës dhe nuk është i zbatueshëm.
Në fjalët hyrëse të kryeministrit Zoran Zaev dhe ministres Milla Carovska dhe anëtarëve të grupit të punës të cilët e prezantuan para të pranishmëve, deputetja e VMRO-DPMNE-së, Vesna Janevska bëri thirrje që koncepti të tërhiqet, të lëshohet koncepti i përmbajtjeve të integruara dhe tha se nuk ka plan financiar për zbatimin e reformës nga shtatori, as nuk dihet, siç tha, kur dhe kush do t’i trajnojë arsimtarët. Konsideron se së pari nevojiten reforma të fakulteteve të mësuesisë.
“U përgatit në rreth të mbyllur dhe me shpejtësi të dritës, pa konsultim edhe të fakulteteve të mësuesisë, ndërsa kjo që tani ka debat publik është reagim i dhunshëm”, tha Janevska.
Theksoi se koncepti nuk bazohet në analizë sistemore dhe vendosmëri me nënsistemet e tjera, ka një varg lëshimesh dhe çështjesh të parregulluara, si dhe arsimi parashkollor, nuk është rregulluar çështja e mësimit në paralele të kombinuara, për qëndrimin e vazhduar në shkolla dhe për mësimin në kushte shtëpiake, për punën me nxënës me aftësi të kufizuara dhe me nevoja të veçanta. Tha se po shkurtohen nga një orë nga gjuha amtare, shkurtohen lëndët Vizatim dhe Muzikë dhe se integrimi i lëndëve bëhet pa vlerësim të interesave kombëtare.
Sipas akademikut Vllado Kambovski, reforma është e vonuar sepse Ligji në bazë të të cilit sillet është miratuar që prej para dy viteve.
“Nuk guxojmë ta anulojmë miratimin e konceptit. Nuk guxojmë të humbim vite. Në kohë është koncepti i ri dhe është koha për t’u përballur me qëndrimet. Konsideroj se debate të ngjashme të këtilla duhet të kemi edhe për reformat në arsimin e mesëm dhe të lartë. “Kjo reformë do të duhet të hapë diskutim dhe prandaj si e kemi arsimin parashkollor dhe si është arsimi ynë i mesëm”, theksoi Kambovski, sipas të cilit, programet mësimore duhet t’i ndjekin standardet kombëtare, gjegjësisht të kihet plan me të cilën do të bëhet matja e arritjeve të nxënësve.
E nënvizoi rolin e mësimdhënësve të cilët duhet të kenë vend qendror dhe të jenë bartës të procesit arsimor.
Profesori Jovan Donev e përshëndeti iniciativën për reformë në MASH dhe nuk dyshon në profesionalizimin e krijuesve të konceptit, por është e rëndësishme, tha, kush do ta zbatojë reformën kur të gjithë jemi rezultat i një procesi arsimor që nuk vlen.
Tha se kemi arsim të politizuar, me korrupsion dhe nepotizëm dhe prej këtu, sipas tij, nuk mund të bëhet reformë me këto probleme.
“Nuk jemi në nivelin që të zbatojmë reforma të këtilla të cilat janë shumë serioze”, tha Donev. Konsideron se duhet të formohet komitet kombëtar për reforma, të sillen ekspertë të huaj dhe të ketë departizim, si dhe reformë thelbësore në arsimin e lartë. Propozoi që të hiqet Byroja për Zhvillim të Arsimit dhe të formohet institut shtetëror për politika arsimore i cili seriozisht do të merret me arsimin, ndërsa që të hapet edhe universitet i huaj i cili do të jetë konkurrent i UKM-së ose secili që do të studiojë në universitet të huaj t’i paguhet shkollimi.
Akademiku, Dragi Gjorgiev, drejtor i Institutit për Histori Kombëtare, u ndal në parimet e historianëve të cilët duhet të respektohen që të shkruhen libra cilësorë dhe solidë të historisë. Parimi më i rëndësishëm, tha, është depolitizimi i së kaluarës, shmangja me çdo kusht e përshtatjes së të kaluarës me nevojat bashkëkohore politike. Për këtë duhet të zbatohen metoda më bashkëkohore dhe pa kompromis me presione politike. Theksoi se historia nuk mund të kuptohet nëse nuk analizohet në mënyrë etnocentrike, jashtë konteksteve, sepse do ta humbë kontaktin me realitetin.
“Kjo qasje për studimin akademik të së kaluarës do të lejojë që mësuesit të zhvillojnë tek fëmijët, gjithashtu, të menduarit kritik për historinë, e cila është e rëndësishme për ta që të shmangin ndërtimin e qëndrimeve autoritare ose qëndrime ekskluzive ndaj vetvetes. Unë besoj se koncepti i propozuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës lejon që këto parime të përfshihen në librat shkollorë të historisë ose materialet e ardhshme për temën e Historisë. Ky koncept lë hapësirë për krijimin e ekuilibrit, veçanërisht në lëndën e Historisë. Suksesi i këtij koncepti do të jetë një tregues se sa e gjithë shoqëria maqedonase mund të merret me sfida, veçanërisht në tema të ndjeshme siç është arsimi, dhe sa shoqëria është e gatshme të forcojë dhe të fillojë ndërtimin e konceptit qytetar”, shtoi Gjorgiev
Si do të mësohet e kaluara, shtoi ai, varet nga përgatitja e programeve mësimore të historisë dhe MASH-it, siç tha, duhet të jetë shumë i kujdesshëm për atë.
“Nuk guxon historia të shndërrohet në mjet i cili do të shërbejë vetëm për formimin e identitetit kombëtar dhe për përhapjen e urrejtjes, mosdurimit dhe tensioneve në shoqëri”, shtoi Gjorgjiev.