Qeveria e miratoi strategjinë trevjeçare për reforma strukturore – Programin e reformave ekonomike (PRE) 2021-2023, kumtoi Ministria e Financave. programi, përgatitjen e të cilit e koordinon Ministria e Financave, e përmban kornizën afatmesme makroekonomike dhe fiskale, si dhe reformat strukturore që duhet të zbatohen, e të cilat janë konfirmuar përmes dialogut të përbashkët me Komisionin evropian.
Siç ceket në kumtesë, ky dokument strategjik është pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e procesit inkuadrues drejt Bashkimit Evropian.
Në Programin për reforma ekonomike 2021-2023 janë përfshirë 20 masa prioritare (fusha reformuese), të cilat duhet të zbatohen në tre vitet në vijim në drejtim të reformës së tregut të energjisë dhe transportit, zhvillimit të sektorit bujqësor, përmirësimit të ambientit afarist dhe uljes së ekonomisë gri, mbështetjes së hulumtimit, zhvillimit dhe transformimit digjital, ndërlidhjes rajonale ekonomike, arsimit dhe shkathtësive, mbrojtjes sociale dhe inkluzionit, si dhe mbrojtjes shëndetësore.
Nga aspekti i reformës së tregut të energjisë dhe transportit janë paraparë masa për rritjen e konkurrencës së tregut të energjisë elektrike, promovimit të burimeve ripërtëritëse të energjisë, përmirësimit të efikasitetit energjetik dhe implementimit të sistemit inteligjent transportues përgjatë Korridorit panevropian 10.
Në drejtim të zhvillimit të sektorit bujqësor janë paraparë masa për përmirësimin e sistemeve për ujitje, konsolidim dhe defragmentim të tokës bujqësore, formim të kooperativave bujqësore dhe përmirësim të qasjes drejt sipërfaqeve të punueshme bujqësore.
Programi parasheh edhe masa drejt përmirësimit të ambientit afarist dhe uljes së ekonomisë joformale. Nga aspekti i përmirësimit të ambientit afarist parashihet racionalizimi i të dhënave parafiskale dhe formimi i regjistrit të vetëm për të njejtët, më ej, formim i tregut elektronik për furnizime me vlerë të vogël he mbështetje të ndërmarrjeve të sapothemeluara të vogla dhe të mesme në rajonet më pak të zhvilluara. Në drejtim të uljes së ekonomisë joformale do të ndërmerren mekanizma për nxitje të aktiviteteve të regjistruara ekonomike dhe transaksioneve dhe me fokus në sektorët, ku ka më shumë gjasa për punë të paparaqitur.
Masat me të cilat do të mbështetet hulumtimi, zhvillimi dhe transformimi digjital përfshijnë zgjerim të shtrirjes së shërbimeve të platformës nacionale E-shërbime, si dhe përmirësim të bashkëpunimit mes komunitetit akademik dhe industrisë.
Në pjesën e integrimit rajonal ekonomik janë përfshirë masa të kahëzuara drejt thjeshtimit të procedurave tejkufitare inspektuese dhe doganore dhe përforcimit të tregut të brendshëm në vend.
Më tej, PRE parasheh aktivitete për përmirësimin e rezultateve nga procesi arsimor dhe ulje të mosharmonizimeve të shkathtësive dhe kualifikimeve me nevojat e tregut dhe të fuqisë punëtore. Njëkohësisht, do të punohet edhe në zbatimin e Ligjit të ri për mbrojtje sociale, posaçërisht në pikëpamje të kategorive më të ndjeshme të qytetarëve, si dhe aktivitet më i madh i popullatës së aftë për punë. Në këtë Program për herë të parë kyçet sektori shëndetësor, ku janë paraparë aktivitete për përmirësim të mbrojtjes shëndetësore të popullatës.
PRE 2021-2023 do t’i parashtrohet Komisionit evropian deri në fund të janarit të këtij viti. Pas parashtrimit, ai do të vlerësohet nga ana e KE-së. Në fund, do të zbatohet dialog në suaza të Këshillit të BE-së me ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore nga vendet – kandidate për anëtarësim nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia.Rezultat i dialogut është sjellja e konkludimeve të përbashkëta në bazë të notës së PRE-së, me çka jepen rekomandime për përmirësim në politikat ekonomike, me qëllim të përshpejtimit të konvergjencës ekonomike, rritjes së konkurrencës së sektorit afarist dhe hapjes së vendeve të reja të punës.