Shumica në pushtet do t’i tërheqë propozim ndryshimet e Ligjit për punë të jashtme me të cilat parashihet që ambasadori, përveç shtetësisë së Maqedonisë së Veriut, të mund të ketë edhe shtetësi tjetër.
Në arsyetimin për tërheqjen e propozim ligjit që e parashtruan deputetë të LSDM-së, BDI-së dhe Besës, thuhet se pushteti nuk do të lejojë opozita të bëjë teatër në Kuvend, pasi që nga VMRO-DPMNE paralajmëruan se do të bllokojnë miratimin e tij me parashtrim të 300 amandamenteve.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, i cili është kryetar i Komisionit kuvendor për politikë të jashtme dhe ish-shef i diplomacisë, duke e paralajmëruar “bllokadën prej amandamenteve”, dje vlerësoi se ndryshimi i propozuar është i volitshëm dhe paraqet tentim që ligji t’i adaptohet disa zgjidhjeve personale të partnerëve qeveritarë për plotësim të pozitave të ambasadorëve. Konsideron se ndryshimet janë në kundërshtim edhe me Ligjin për informata të klasifikuara sipas të cilit parakusht i domosdoshëm që kandidati për ambasador të marrë “certifikatë të sigurisë me shkallë shtetërore fshehtësi” është të jetë shtetas edhe i një shteti tjetër, ndërkaq ambasadori pa certifikatën e sigurisë nuk është ambasador.
Si arsye të tretë përse opozita është kundër, theksoi se diplomacia, si edhe siguria, është profesion i ndjeshëm ku lojaliteti ndaj shtetit amë të Maqedonisë nuk guxon të sillet në pikëpyetje.
Nga LSDM u përgjigjën se nuk do të lejojnë që dikush të bëjë teatër personal dhe zhvillojë betejë personale në VMRO-DPMNE duke bërë teatër nga Kuvendi dhe prandaj vendpsën ta tërheqin propozimin.
Nga partia theksojnë se qëllimi i ligjit duhet të jetë të lejohet që kandidatët për ambasadorë të kenë shtetësi të dyfishtë, por të mos mund të jenë ambasadorë në vendin ku kanë shtetësi të dytë.
Zgjidhja e njejtë ligjore ishte vendosur në procedurë edhe në përbërjen e kaluar të deputetëve, por atëherë Milloshoski nuk pati vërejtje, as nuk kishte parashtruar amandamente.
Nga LSDM akuzuan se gjatë mandatit VMRO-DPMNE dërguan ambasadorë të cilët kishin shtetësi të dyfishtë që është në kundërshtim me ligjin.
Propozim ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për punë të jashtme, në procedurë të shkurtuar, parashtruar nga deputetët Arbër Ademi (BDI), Jovan Mitreski (LSDM) dhe Kastriot Rexhepi (BESA), sipas agjendës së publikuar në ueb faqen e Kuvendit, duhej të shqyrtohej në mbledhje të Komisionit për politikë të jashtme të paralajmëruar për të martën, ndërkaq është vënë edhe në rend dite të mbledhjes së 26-të plenare të Kuvendit.
Me të propozohet ndryshimi i nenit 36 të Ligjit për punë të jashtme me të cilin janë rregulluar kushtet dhe procedura për emërim të ambasadorëve, ndërkaq në të cilin është paraparë personi i cili duhet të emërohet ambasador të jetë shtetas vetëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ademi., Mitreski dhe Rexhepi konsiderojnë se ky kusht e kufizon të drejtën kushtetuese të secilit qytetar të marrë pjesë në ushtrimin e funksioneve publike. Për ndryshimin e propozuar thonë se është në pajtim me nenin 2 të Ligjit për shtetësi të RMV-së ku është cekur: “Shtetasi i Republikës së Maqedonisë mund të ketë edhe shtetësi të një shteti tjetër, Shtetasi i Republikës së Maqedonisë i cili ka shtetësi të një shteti tjetër, në Republikën e Maqedonisë konsiderohet vetëm si shtetas i Republikës së Maqedonisë, nëse me marrëveshje ndërkombëtare nuk është caktuar ndryshe”.