Me propozim të Këshillit të Sigurimit, i cili u pranua dje nga Presidenti i shtetit, Qeveria pritet sot të deklarojë gjendje krize në territorin e vendit për 30 ditë për shkak të situatës jashtëzakonisht të rëndë me KOVID-19. Kjo do të mundësojë menaxhim më të mirë të të gjitha kapaciteteve dhe burimeve njerëzore, përveç atyre publike, do të ketë spitale private që do të menaxhohen nga shteti, ndërsa në përballjen e epidemisë do të ndihmojë edhe Armata.
Kryeministri, Zoran Zaev pas takimit të Këshillit të Sigurimit dje tha se Komiteti drejtues sa më shpejt të jetë e mundur do t’i propozojë Qeverisë që të shpallë gjendje krize dhe kjo do të jetë jo më vonë se sonte. Në seancë qeveritare mbrëmë filloi procedura pasi në përputhje me Ligjin për menaxhimin e krizave u morën vendimet edhe në Komitetin drejtues dhe Grupin për vlerësimin u emëruan u.d. drejtorë të Qendrës për menaxhimin me kriza dhe të Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, Stojançe Angellov dhe Bekim Maksuti.
“Me vendimet mundësohet të fillojë procedura për shpalljen e gjendjes së krizës në të gjithë territorin e vendit, sipas mendimit të Grupit të vlerësimit, pasuar nga një propozim i Komitetit drejtues për koordinimin dhe menaxhimin në sistemin e menaxhimit të krizave te Qeverisë, pas së cilës ajo do të marrë vendimin për shpalljen e gjendjes së krizës”, njoftoi Qeveria pas seancës.
Shefi i shtetit, Stevo Pendarovski vlerësoi se situata në vend me Kovid-19 është jashtëzakonisht serioze. Ndërsa situata nuk është ndryshe, siç tha ai praktikisht në të gjitha vendet dhe në Evropë dhe botë, shumë më keq se vala e pranverës sipas numrit të të infektuarve dhe të vdekurve. Në gjendjen e krizës, do të jenë në dispozicion të shtetit edhe kapacitetet e spitaleve private dhe stafi i tyre por nuk ka të bëjë me nacionalizimin e tyre, por me menaxhimin e tyre në betejën me pandeminë, siç tha Presidenti – atje dhe në masën që Qeveria do të vlerësojë se është e nevojshme.
Pasi që të shpallet gjendja e krizës, siç sqaroi presidenti Pendarovski, Ligji për mbrojtje dhe Ligji për menaxhim me kriza japin mundësi shumë më të gjera për mbështetje ndaj institucioneve kompetente, para së gjithash, shëndetësore nga ana e Armatës.
Situata e krizës nuk do të thotë lëvizje e kufizuar ose orë policore, por rekomandimet do të vazhdojnë të zbatohen për të mos dalë pa nevojë pas orës 21 dhe për të mos pasur grupime, për të respektuar të gjitha masat, veçanërisht masat e mbrojtjes personale.
Lidhur me gatishmërinë e klinikave për pacientë të rinj, ministri i Shëndetësosë, Venko Filipçe sqaroi se dy katet e godinës së Klinikave interne thuajse janë plotësuar, ndërsa po përgatitet edhe një kat ku ndodhen repartet për otorinolaringologji dhe për oftalmologji, të cilat prej nesër duhet të vihen në funksion.
Filipçe theksoi se i gjithë kuadri praktikisht është në stend baj dhe në koordinim me përgjegjësit, për një pjesë të drejtorëve të Klinikave Interne po bëhet orar për kujdestari dhe për funksionim gjatë periudhës së ardhshme.
“Numër i mjaftueshëm i shtretërve të lirë mund të vihen në funksion në SPQ “* Shtatori”, i cili e ruajti edhe punën e tij të zakonshme. Numri i paraparë i shtretërve inicues, 80,90, tashmë është mbushur, por ka mundësi gjatë periudhës së ardhshme bashkë me këtë presion të madh që e kemi këto ditë, të ndërpritet sistemi “Termini Im” dhe aty të vendosen akoma më shumë pacientë. Do të thotë mobilizim i plotë, koordinim i përditshëm, jemi të gatshëm edhe klinika të tjera të angazhojmë, ato janë një pjesë e klinikave kirurgjike për çka edhe kishim takim. Tashmë po bëhet plan intern së bashku me më shumë drejtorë të Klinikave kirurgjike. Ky do të ishte hapi i radhës. Do të bëjmë plan të plotë i cili do t’i përfshijë të gjitha resurset”, shtoi Filipçe.
Në lidhje me pagesën të mjekimit në spitale private, sipas legjislacionit aktual, shteti mund të mbulojë deri në 30 për qind të shpenzimeve. Kush dhe si do të mbulojë shpenzimet e tjera, Filipçe tha se do të specifikohet më tej. Ai tha se kjo është një situatë e panjohur dhe do të bëhen analiza dhe do të konsultohet me ekipet ligjore.
Gjatë ditës së djeshme, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se gjithsej 1258 pacientë pozitivë dhe të dyshuar për koronavirus po trajtohen në departamentet infektive në kryeqytet dhe në spitalet në të gjithë vendin dhe se ka rreth 60 shtretër spitale të lira në qendrat KOVID, duke theksuar se situata po ndryshon nga orë në orë.
Në statistikat 24-orëshe për ditën e djeshme, janë regjistruar 1198 persona të sapo infektuar nga 3081 teste. Pothuajse gjysma e tyre (572) janë në Shkup, dhe numër i lartë i rasteve të reja kishin edhe Manastiri (92), Prilepi (53), Shtipi (49), Velesi dhe Ohri nga 42, Kumanova (41), Struga dhe Strumica nga 34. Kërçova (33), Tetova (28), Sveti Nikole (20).
Kanë vdekur 26 persona, tetë prej të cilëve nga Shkupi. Mes të vdekurve dje ishin dy 35-vjeçarë – nga Manastiri dhe Ohri dhe një pacient 37-vjeçar nga Struga. Që nga fillimi i epidemisë në vend, gati nëntë muaj më parë, numri i përgjithshëm i të infektuarve arriti në 51.213, janë shëruar 30.204 ndërsa kanë vdekur 1.423. Raste aktive janë 19.586, nga të cilat 9.479 janë në kryeqytet.