Ne jemi mirënjohës që Gjermania si kryesues me BE-në tregon angazhim të përforcuar për përmbushjen e qëllimit të përbashkët: mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut, si një sinjal i rëndësishëm për të gjithë rajonin dhe besueshmërinë e BE-së, gjë që është në interesin e të gjithëve.
Kjo theksohet në qëndrimin, me të cilin doli sot Qeveria pas takimit të djeshëm në Berlin të zëvendëskryeministrit përgjegjës për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani me ministren e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.
Takimi ka qenë me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Hajko Maas dhe ministrit shtetëror gjerman për Evropën, Mihael Rot si përfaqësues të vendit i cili aktualisht është kryesues me BE-në dhe i cili vazhdimisht ka deklaruar se qëllimi i tij është konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së të mbahet në fund të dhjetorit.
Qeveria thekson se kontaktet e shpeshta dhe takimet e nivelit të lartë synojnë një mirëkuptim më të madh me Bullgarinë fqinje dhe shton se këto komunikime çojnë në mirëkuptim më të madh, ndërtimin e besimit dhe drejt afrimit të pozicioneve.
“I respektojmë dhe jemi të përkushtuar ndaj marrëveshjes së vitit 2017 e cila ofron një kornizë dhe instrumente për menaxhimin e çështjeve bilaterale”, thekson Qeveria dhe shton se beson se çështjet historike që janë pjesë e historisë së përbashkët mund të zgjidhen përmes Komisionit për çështje historike dhe arsimore si dhe zgjidhjet do ta forcojnë miqësinë dhe bashkëpunimin midis dy vendeve.
“Ne jemi të bindur se tre qëllimet tona: kujdesi për interesin kombëtar dhe e drejta e vetëvendosjes së popullit maqedonas e ardhmja jonë evropiane dhe hapja e negociatave me konferencën e parë ndërqeveritare në dhjetor dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore të bazuara në mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë me njëri-tjetrin, jo vetëm që nuk janë kundër njëri-tjetrit, por janë plotësisht të pajtueshme”, thekson Qeveria.