Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë përfundimisht u shpallën në gazetën zyrtare të Maqedonisë. Dy dokumentet të cilat nuk u dekretuan nga presidenti Gjorgji Ivanov, pas disa muajve pritje, dje kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i dërgoi për publikim në gazetën zyrtare. Ligji për përdorimin e gjuhëve me të cilin parashihet avancimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe u miratua më 14 mars në Kuvend. Ligji mori dy herë miratimin e deputetëve pasi pas votimit të parë Ivanov nuk pranoi ta dekretojë. Vendim të njëjtë Ivanov mori edhe pas votimit të dytë, por për shkak të zbrastirës ligjore u shkaktuan polemika për atë se si duhet vepruar kur presidenti nuk e kryen obligimin kushtetues ku poashtu nuk precizohet zgjidhje alternative. Kreu i shtetit refuzoi të dekretojë edhe marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e kontestit rreth emrit që u në Kuvend u ratifikua më 5 korrik të vitit që lam pas. Edhe ligji për ratifikimin e kësaj marrëveshje u votua dy herë në Kuvend. Kushtetuta parasheh që pas votimit të dytë presidenti të dekretojë ligjin, por nuk parasheh zgjidhje alternative nëse ai nuk kryen këtë veprim. Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi që në fillim pati paralajmëruar se dy ligjet do t’i shpall në gazetë zyrtare për të hyrë në fuqi vendimi i deputetëve i sjellë me shumicën e nevojshme ligjore dhe kushtetuese.