Policia e Strugës në periudhën prej datës 11 deri më datën 14 të këtij muaji ka arrestuar katër persona nga Struga dhe rajoni i Strugës, të cilët i kanë ikur dënimit me burg, ndërsa për një pjesë prej tyre është dhënë urdhër arrest.
Zëdhënësi i SPB Ohër Stefan Dimoski informon se janë arrestuar personat B.D (43), I.M (47), D.U (30) dhe R.I (32).
Në fshatin Koroshishtë të Strugës, siç sqaroi Dimoski, më 11 tetor është arrestuar B.D (43), i cili i arratisur ka tentuar ta shmang dënimin me burg prej dhjetë muajsh të shqiptuar nga Gjykata Themelore – Ohër për vepër të kryer penale “përdhunim”. Ai është transferuar nëShtëpinë ndëshkuese përmirësuese – burgun në Strugë.
“Më 13 tetor, është arrestuar edhe I.M (47) nga fshati Ladorisht i Strugës. Ai ka qenë në arrati, ndërsa është dënuar nga Gjykata Themelore – Ohër me dy vite burg për veprën ndëshkuese ‘mashtrim’, si dhe dënim me burg prej një viti të shqiptuar nga Gjykata Themelore Gostivar për vepër penale ‘pengim të personit të autorizuar në ushtrimin e detyrës zyrtare’. I arrestuari është transferuar në SHNP – burgun Idrizovë'”, deklaroi Dimoski.
Të njëjtën ditë, shtoi, në fshatin Livadhi të Strugës, është arrestuar D.U (30) nga fshati Koroshishtë, i cili për veprën e kryer penale ‘përpunim i paautorizuar, posedim, ndërmjetësim dhe trafikim me armë dhe materie spërkatëse”, nga Gjykatat Themelore në Strugë, paraprakisht është dënuar me tre vite burg, pastaj me vendim të gjykatës së njëjtë, është zvogëluar në 10 muaj e 24 ditë. Ai është transferuar për vuajtjen e dënimit në SHNP – burgun “Strugë”.
Pas urdhër arrestit të shpallur nga Gjykata Themelore Shkup 1, më datën 14 të këtij muaji, në fshatin Frangovë të Strugës, është arrestuar edhe R.I (32) nga i njëjti fshat.
“Ai është arrestuar në lidhje me veprën e kryer penale ‘trafikim me njerëz’, ndërsa pastaj është transferuar dhe dorëzuar personave të autorizuar zyrtarë në Gjykatën Themelore Shkupi për procedurë të mëtejmë”, theksoi Dimoski. (MIA)