Perëndimi, si edhe deri më tani, po përpiqet ta fusë Maqedoninë në NATO, madje edhe pas referendumit për ndryshimin e emrit, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, Marija Zaharova, në brifingun e rregullt javor.
Siç transmeton TASS, Zaharova deklaroi se “qëllimi i dukshëm i vendeve perëndimore është që me çdo çmim ta fusin Maqedoninë në NATO”.
Reagimi i Zaharovës pason pas deklaratës së djeshme të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se Aleanca do ta pranojë Maqedoninë në radhët e saj në fillim të vitit 2019, që sipas saj është e palejueshme, për shkak se “vendimin e parë duhet ta bëjnë parlamentet e Maqedonisë dhe Greqisë”.
Pozicioni i Rusisë, tha Zaharova, mbetet parimor dhe i pandryshuar-zgjidhje të përhershme për problemin mund të gjejnë vetë vendet, pa përzierje dhe presione nga jashtë, për shkak se u tregua se kjo nuk funksionon.
“Nëse flasim për mospërzierje në punët e brendshme, atëherë nuk guxojmë të agjitojmë ‘për’ dhe ‘kundër’, në qoftë se flasim për referendume. Nëse flasim për mospërzierje në punët e brendshme dhe respektim të ligjit, duke i përfshirë edhe ndërkombëtarët, atëherë njeriu i parë i një blloku të shteteve nuk guxon të flasë për vendim që duhet ta sjellë parlamenti i një vendi”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme.
Ose, shtoi, duhet të pranojmë se njëherë kjo mund të ndodhë dhe atëherë do të paraqitet sistem i ri botëror.
Ajo, gjithashtu, tha se është e befasuar nga rezultatet e komisionit të OSBE-së, që e ndoqën mbajtjen e referendumit në Maqedoni, transmeton Sputnik.
“Fushata e madhe propaganduese e Perëndimit prezantohet në mënyrë pozitive. Kjo nuk është vetëm normale, ajo është, gjithashtu, edhe plus. Çfarë do të ndodhte në qoftë se Moska u bënte thirrje qytetarëve të Maqedonisë të votojnë? Kjo menjëherë do të kuptohej si përzierje në punët e brendshme. Këto nuk janë vetëm standarde të dyfishta, por keqpërdorim i rregullave dhe normave sociale”, shtoi Zaharova. (MIA)