Kemi detyrim të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë si dhe këtë Marrëveshje ta implemetojmë në Kuvend.Kishim proces jashtëzakonisht të rëndësishëm të referendumit në vend, në të cilën më shumë se 600 mijë qytetarë shprehën vullnetin e qartë politik për implementimin e Marrëveshjes së Prespës, si dhe për ta çuar vendin përpara në procesin integrues.
Këtë e theksoi zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane dhe kryenegociatori dhe shefi i delegacionit shtetëror për negociata me BE-në, Bujar Osmani në takimin bilateral me Ministren Federale për Evropë, Integrime dhe Punë të Jashtme të Austrisë, Karin Knajsel.
Ai shprehu falënderime të sinqerta për përkushtimin e Austrisë drejt rajonit, në veçanti në pjesën e kryesimit të Austrisë, duke e ngritur procesin e zgjerimit dhe integrimit të rajonit, si një prej prioriteteve kryesore të Unionit.
Osmani, siç njoftuan nga kabineti i tij, potencoi se Maqedonia, do t’i mbetet e përkushtuar agjendës evropiane, me thellimin e momentumit reformues, si dhe me vendosmëri do të vazhdojë me implementimin e rregullave evropiane, standardeve dhe vlerave, me të cilin do të kontribuojë në ndërtimin e një Evrope më të fuqishme dhe më stabile.
Ai iu referua edhe sfidave me të cilat ballafaqohet vendi lidhur me referendumin që kaloi, ku edhe shprehu kënaqësi nga mbështetja e lartë e qytetarëve për Marrëveshjen e Prespës dhe anëtarësimit në BE dhe në NATO.
Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane dhe kryenegociatori dhe shefi i delegacionit shtetëror për negociata me BE-në, Bujar Osmani, së bashku me zëvendësin e tij dhe negociatorin kryesor teknik, Bojan Mariçiq, sot qëndrojnë për vizitë pune në Tiranë, Republika e Shqipërisë, në kuadër të së cilës, së bashku me Ministrat dhe Zëvendëskryeministrat për integrime evropiane të vendeve nga rajoni marrin pjesë në Konferencën e tretë për reformat e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor (WBAR).
Në Konferencën e sotme për reformat e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor (WBAR) pritet të nënshkruhet edhe një deklaratë e përbashkët ku mes të tjerash, do të riafirmohen përpjekjet për avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, avancimi i bashkëpunimit rajonal si dhe perspektivat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku edhe do të pasojë fjala e Zëvendëskryeministrit Osmani në panelin kushtuar komunikimit të BE-së në opinion.
Në kuadër të vizitës së tij në Tiranë, Osmani do të mbajë takime bilaterale me Ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe Ministren për Integrime Evropiane të Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha.
Konferenca e sotme për reformat e anëtarësimit në vendet e Ballkanit Perëndimor (WBAR) në Tiranë, mbështetur nga presidenca austriake e Këshillit të BE-së është e treta me radhë, e paraprirë nga e para e mbajtur në Shkup në vitin 2015 dhe e dyta e mbajtur në Podgoricë në vitin 2017.