Duke e komentuar në Fejsbuk vendimin për shkarkimin e tij nga funksioni i zëvendëssekretarit të përgjithshëm të VMRO_DPMNE-së, Petar Bogojevski paradite theksoi se e përshëndet vendimin e KE të partisë lidhur me aktivizimin në strukturat udhëheqëse, por jo edhe në parti. Falënderohet që është liruar nga përgjegjësia që e ka bartur në vete dhe që ua ka transmetuar njerëzve të tjerë në Nismën për reforma.
“Thjesht të papajtueshme janë dy konceptet tona, njëri për demokratizim, modernizim dhe evropianizim, ndërsa tjetri për klientelizëm, kriminalizim dhe karrierizëm autoritar në VMRO-DPMNE. Është e pamundur të dy të funksionojnë së bashku, ndërkaq me këtë rast të avancohet puna e partisë në baza parimore”, thekson Bogojevski në statusin e tij në Fejsbuk.
Sipas tij, VMRO-DPMNE në këtë moment tërësisht është në anë të gabuar të historisë, u nis, siç thekson, “në drejtim tërësisht të gabuar dhe nuk është e mundur së bashku në trenin e njëjtë në drejtim të njëjtë”.
“Shpresoj për kohë të shkurtë kjo të konstatohet dhe të merret rrjedhë tjetër. Do të përsëris, e mposhtëm Gruevskin, por jo edhe gruevizmin tek ne. Druaj se ata politikisht shkojnë në dobi të planeve për destabilizim më të gjerë politik dhe të sigurisë të stabilitetit rajonal, që do të rezultojë me rrezikim të shtetësisë maqedonase, që për mua është pa hapësirë për çfarëdo lloj kompromisi. Motoja ime ishte dhe mbetet “Të humbim të gjithë, ndërkaq të fitojë Maqedonia!”, thekson Bogojevski.
Siç publikoi tashmë MIA, zëvendëssekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së Petar Bogojevski mbrëmë u shkarkua nga funksioni partiak, konfirmojnë për MIA-n burime partiake.
Bogojevski mbetet anëtar i VMRO-DPMNE-së. Ai bën pjesë në inicuesit për reformat në VMRO-DPMNE.
(MIA)