Gjyqtari Darko Todorovski nga Gjykata Penale në Shkup para pak kohe e liroi nga përgjegjësia kryeministrin Zoran Zaev, i cili ishte i akuzuar në rastin “Ryshfeti”.
Në leximin e aktgjykimit gjyqtari Todorovski theksoi se prokurori publik nuk arriti të dëshmojë se i akuzuari Zaev e ka kryer veprën që i ngarkohej dhe nga këto shkaqe solli aktgjykim lirues.
Në seancën e kaluar për lëndën “Ryshfeti”, prokurorja Valentina Bislimovska kërkoi ndërrim të aktakuzës dhe në vend të marrjes së ryshfetit, i akuzuari të gjykohet për kërkim të ryshfetit. Prokurorja për këtë vepër penale kërkoi nga Gjykata t’i shqiptojë aktgjykim dënues, që, sipas ligjit, është prej një deri pesë vite burgim.
Zaev në seancat paraprake tha se pret aktgjykim lirues në këtë proces gjyqësor, sepse siç deklaroi, bëhet fjalë për rast të montuar me qëllim që të parandalohet t’i publikojë “bisedimet e përgjuara”.
Kryeministri Zaev akuzohet se si kryetar i Komunës së Strumicës ka kërkuar ryshfet prej 160.000 eurove nga biznesmen i Strumicës Ivan Nikollov Saçevalliev. (MIA)