Në komunën Çair të Shkupit, do të ketë rivotim – gjykoi sot Gjykata Administrative e Shkupit. Me këtë rivotim fitorja e BDI mbetet e pasigurtë.
Në rrethin e dytë të zgjedhjeve vendore, në komunën Çair kanë votuar 28.597 qytetare dhe qytetarë, gjegjësisht, dalja ka qenë 49.50%.
Siç mund të shohim nga ilustrimi më poshtë, komunën e fitoi BDI me kandidatin e vet Visar Ganiu, për 209 vota.
Në vendvotimin 2019 në Sh.F. “Idnina”, Çair, janë regjistruar 719 votues, që është më tepër se mjaftueshëm për ndryshimin e rezultateve përfundimtare për kryetar të kësaj komune.
Sipas Kodit Zgjedhor, e gjithë procedura përsëritet nga fillimi në vendvotimin e anuluar dhe rivotimi zbatohet 14 ditë nga dita e votimeve, gjegjësisht, më 12 nëntor.
Nëse nga cila do arsye, përsëri nuk zgjidhet kryetari i komunës, KSHZ ka 15 ditë ta informojë Qeverinë, e cila në afat prej 15 ditëve duhet të emërojë ushtruesin e detyrës për kryetar komune, ndërsa 15 ditë nga emërimi e ushtruesit, Qeveria është e obliguar ta informojë Kuvendin për shpalljen e zgjedhjeve për kryetar komune.
Ermin Klimenta