Rusia, e cila është e akuzuar për krime të luftës të kryera në qytetin ukrainas Buça, e mohoi të gjithë këtë dhe kërkoi debat në Këshillin e Sigurisë së KB-së, shkruan gazeta franceze “Mond”, njofton agjencia e lajmeve MIA.
Kryeprokurori shtetëror njoftoi se në territoret e çliruara nga okupimi rus janë gjetur 410 trupa të civilëve, përkujton gazeta.
Sipas Komisariatit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të KB-së, në Ukrainë janë vrarë 1.417 civilë, në mesin e të cilëve 121 fëmijë. Janë plagosur 2.038, prej të cilëve 171 fëmijë. Viktimat dhe të plagosurit janë kryesisht për shkak të granatimit dhe sulmeve ajrore.
E gjithë bashkësia ndërkombëtare i dënoi tmerret dhe bëri thirrje për hetim, shkruan gazeta franceze Parizien, duke theksuar se Perëndimi kërkon sanksione të reja kundër Moskës. Mbrëmë presidenti i Këshillit Evropian, Sharll Mishell në Tuiter njoftoi se “po vijojnë shumë sanksione dhe ndihmë nga BE-ja”.
Shefi i diplomacisë franceze Zhan – Iv Le Drian në deklaratë theksoi se që të detyrohen autoritetet ruse t’i japin fund luftës agresive, është e nevojshme që të vazhdohet dhe të rritet “presioni ekonomik dhe ndërkombëtar” ndaj Rusisë.
Kryeministri britanik Boris Xhonson në Tuiter premtoi se Londra “do t’i përforcojë sanksionet”. Presidenti ukrainas i quajti forcat ruse “vrasës”, dhe “torturues” dhe “dhunues”, vëren gazeta britanike “Gardian”. Rusia, nga ana e saj, e përshkroi situatën në Buça si “provokim” nga Ukraina, qëllimi i i së cilës është që t’i pengojë bisedimet paqësore. Ministria e Mbrojtjes në Moskë i përshkroi fotografitë dhe videot si “edhe një shfaqje të ekzekutuar nga regjimi në Kiev”. Forcat ruse vazhduan me sulmet ndaj qyteteve të tjera ukrainase.
Lufta në Ukrainë është kthesë në histori, bën të ditur Uashington Post. Vendimi i qeverisë së kancelarit gjerman Ollaf Shollc që të ndajë më shumë se 100 miliardë dollarë për forcat e armatosura të Gjermanisë dhe të sigurojë armë vdekjeprurëse për Ukrainën është ndryshim i madh në kursin prej shumë dekadave të pacifizmit kushtetues të Berlinit.
Sipas vetë Shollcit dhe aleatëve të tij, kjo është kthesë në histori. Duke e ndjekur vizionin evropian për paqe të përhershme, lufta në kontinent e shokoi elitën e kujdesshme gjermane politike dhe e nxiti që të ndërmarrë aksion. Për shumë persona nga të dyja anët e Atlantikut, lufta në Ukrainë ndoshta shënoi diç edhe më të madhe: fundin e një epoke dhe fillimin e një të reje, të karakterizuar me pasiguri më të madhe dhe rivalitet ndërmjet forcave të mëdha.
“Edhe në Uashington, për të mos përmendur kryeqytetet e Evropës Perëndimore, ka një ndryshim në atmosferë. Diplomatët evropianë në kryeqytetin amerikan folën për solidaritet të paparë mes aleatëve të NATO-s dhe mirëpritën udhëheqjen e qeverisë Bajden. Perëndimi, si një njësi gjeopolitike, rrallë ka qenë më i bashkuar”, theksoi Shollc.
Për disa komentues amerikanë, Ukraina nuk është vetëm vetëm i përleshjes me Rusinë, por edhe luftë për të ardhmen e liberalizmit, shkruan Uashington post.
Për shumë persona të cilët nuk janë pjesë e Perëndimit, ky është përkujtim për standardet e dyfishta perëndimore. E madje edhe në Gjermani nuk është e qartë se deri në cilën shkallë “kthesa” do të sjellë transformim, njoftoi gazeta.