Kryeministri, Dimitar Kovaçevski sot pranoi një delegacion të lartë nga OSBE të udhëhequr nga komisari i lartë për pakica nacionale në OSBE, Kairat Abdrahmanov, i shoqëruar nga Shefi i Misionit të OSBE-së në Maqedoninë e Veriut, ambasadorin Klemens Koja.
Siç informojnë nga shërbimi për shtyp i qeverisë, në takim, Komisari i lartë i dërgoi urime të përzemërta Kryeministrit Kovaçevski me rastin e marrjes së detyrës si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shprehu shpresë për bashkëpunim të mëtutjeshëm të suksesshëm dhe të frytshëm.
“Gjatë bisedës u vërtetua përkushtimi i fuqishëm i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, funksionimin e shtetit të së drejtës dhe përkushtimin për vazhdimin e procesit të reformave, sundimin e ligjit, përmirësimin e kapaciteteve të gjyqësorit, forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe barazinë gjinore”, theksojnë nga shërbimi për shtyp i qeverisë.
Me këtë rast, kryeministri Kovaçevski i ka dërguar urime të përzemërta Komisarit të lartë për emërimin e tij në këtë pozitë të rëndësishme në OSBE dhe i ka uruar mirëseardhje, duke i shprehur mirënjohje për të gjithë komisarët e mëparshëm të lartë për pakicat nacionale, të cilët kanë ofruar mbështetje të konsiderueshme për institucionet e vendit në 28 vitet e fundit.
Komisari i lartë i OSBE-së për pakicat kombëtare Kairat Abdrahmanov theksoi se OSBE-ja ka një partneritet të shkëlqyer me Republikën e Maqedonisë së Veriut gjatë tre dekadave të fundit dhe nënvizoi se ky është një kontribut i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të vendit.
Ai e veçoi suksesin e madh dhe shpirtin miqësor me të cilin Qeveria e Maqedonisë së Veriut zgjidh mosmarrëveshjet dypalëshe me fqinjët dhe shprehu shpresën se ky trend do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Komisari i lartë Abdrahmanov theksoi në takim se strategjia “Një shoqëri për të gjithë” dhe dialogu ndërkulturor për të cilin kujdeset Republika e Maqedonisë së Veriut është një model gjithëpërfshirës i suksesshëm dhe se përpjekjet për promovimin e sundimit e së drejtës dhe ligjit për avancimin e gjuhës janë një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të vlerave evropiane.
Në takim, kryeministri Kovaçevski shprehu besimin e tij se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në prag të presidencës së OSBE-së do të vazhdojë të kujdesët vlerat e një shoqërie të drejtë multietnike me mundësi të barabarta për të gjithë në përputhje me strategjinë “Një Shoqëri”.
“Viti 2023 do të jetë shumë i rëndësishëm si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për OSBE-në dhe shpresoj që gjatë presidencës sonë me OSBE-në, të cilën do ta marrim vitin e ardhshëm, do të kemi bashkëpunim të plotë dhe do t’i përkushtohemi zgjidhjes së çështjeve të rëndësishme,” nënvizoi kryeministri.