Çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë nga 1 janari do të rritet për 9,48 për qind, ndërsa hiqet edhe tarifa e lirë gjatë ditës. Komisioni Rregullator i Energjisë dhe Shërbimeve Ujore (KRRE) paralajmëroi se kah fundi i janarit ose fillimi i shkurtit do të vendosë bllok tarifa me të cilat do të sigurohet konsumi i rrymës me çmim më të ulët, duke njoftuar se restrikcionet nuk janë opsion.
Njëkohësisht, Qeveria në mbledhjen e djeshme miratoi Program për konsumatorët e ndjeshëm të energjisë për vitin 2022, me të cilin parashihet që kategoritë më të ndjeshme të njerëzve me të ardhura të ulëta të cilët nuk marrin ndihmë të garantuar, të kenë ulje të faturës mujore për energjinë e shpenzuar elektrike prej 600 ose 800 denarë në muaj, varësisht madhësisë së amvisërisë. Kryetari i KRRE-së, Marko Bislimovski dje në konferencë për media njoftoi se çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë do të rritet për 9,48 për qind, ndërsa nga 1 janari do të hiqet tarifa e lirë gjatë ditës, me çka, sipas tij, nuk do të ketë nevojë për rritje të re të rrymës.
“Rritja reale do të jetë shumë e madhe, po arritëm të shkurtojmë shumë shpenzime, ndërsa Qeveria merr obligim t’u ndihmojë kompanive shtetërore në periudhën e ardhshme”, theksoi Bislimovski, duke shtuar se ky është një nga vendimet më të rëndë të cilat i ka marrë KRRE nga ekzistimi i saj. KRRE paralajmëroi se në fund të janarit ose në fillim të shkurtit do të vendosë bllok tarifa, me të cilat do të sigurohet konsumi i energjisë elektrike me çmim më të ulët. Sipas tij, tarifa e lirë gjatë natës dhe të dielën mbesin dhe asnjëherë nuk do të ndryshojnë. Pas vendimit të KRRE-së, kryeministri Zoran Zaev në një shkrim në Fejsbuk vlerësoi se edhe në kushte të krizës botërore energjetike, shteti arriti të parandalojë shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe ta aktivizojë prodhimtarinë vendore për zbutjen e goditjeve të çmimeve.
“Solidariteti i të gjithë aktorëve në sektorin e energjisë elektrike, reduktimi i shpenzimeve dhe kursimi është me rëndësi të madhe. Nuk do të ketë kufizime për energjinë elektrike. Të gjitha objektet e prodhimit vendas të energjisë elektrike janë në funksion të përballjes me sukses të krizës energjetike. Për momentin ka sasi të mjaftueshme të thëngjillit të parashikuar për funksionimin e TC Oslomej, si dhe për REK Bitola për operim me dy blloqe. TC Negotinë tashmë është përfshirë me gjysmë kapacitet, nga janari do të punojë me kapacitet të plotë, ndërsa nga janari do të përfshihet blloku i tretë i REK Bitola”, postoi në profilin e tij në Fejsbuk, Zaev, duke shtuar se të gjitha sasitë e energjisë elektrike të nevojshme për furnizuesin universal do të sigurohen nga prodhimtaria vendore, gjegjësisht, pa import.
Ai njëherësh informoi se Qeveria në mbledhjen e sotme me propozim zë Ministrisë së Ekonomisë siguroi 60 milionë denarë mbështetje financiare me Programin për mbrojtje të konsumatorëve të ndjeshëm të energjisë për vitin 2022, me të cilën parashihet që kategoritë më të ndjeshme të personave me të ardhura të ulëta të cilët nuk janë pranues të ndihmës së garantuar sipas ligjit që të marrin ulje të faturës mujore për energji të shpenzuar elektrike në blerë prej 600 denarë ose 800 denarë në muaj, varësisht madhësisë së amvisërisë.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, nga ana e tij, dje njoftoi se me këtë Program duhet të përfshihen rreth 7.500 amvisëri në kohëzgjatje prej 12 muajve. Ndihma financiare do t’u jepet individëve nëse të ardhurat e tyre të rregullta mujore nuk i kalojnë të ardhurat neto, për familje të vetme deri në pagën minimale, për amvisëri me dy anëtarë deri në 18.000 denarë, për amvisëri deri në tre anëtarë deri në 21.000 denarë , për amvisëri me katër anëtarë deri në 25.000 denarë dhe për amvisëri me pesë anëtarë ose më shumë deri në 30.000 denarë.
“Personat me të ardhura të ulëta për individ të vetëm, amvisëri me dy anëtarë dhe për amvisëri deri në tre anëtarë fitohen me uljen e faturës mujore për energjinë e konsumuar në vlerë prej 600 denarë në muaj, ndërsa personat me të ardhura të ulëta për amvisëritë me katër anëtarë dhe për amvisëritë me pesë anëtarë ose më shumë anëtarë fitojnë të drejtën e zvogëlimit të faturës mujore për energjinë e konsumuar në shumë prej 800 denarë në muaj, duke llogaritur nga dita e paraqitjes së kërkesës, sqaroi ministri Bekteshi. Për çmimin e ri të energjisë elektrike reaguan edhe liderët e dy partive më të mëdha në vend.
Kryetari i LSDM-së dhe mandatar për përbërje të qeverisë së re, Dimitar Kovaçevski në Fejsbuk vlerësoi se reagimi i shpejtë i Qeverisë dhe mobilizimi i të gjitha kapaciteteve vendore për prodhimtari të energjisë elektrike kontribuaan që të parandalohet goditja nga çmimet për qytetarët. “Rritja e çmimit të energjisë elektrike për vitin e ardhshëm do të jetë 9.48 për qind, që është larg nën parashikimet e para prej rreth 25 për qind. Mbahet tarifa e lirë gjatë natës e rrymës, si dhe ajo për ditën e diel, ndërsa kufizime nuk do të ketë. Qeveria në mënyrë shtesë siguroi 60 milionë denarë ndihmë me Programin për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë për vitin 2022”, njoftoi në profilin e tij në Fejsbuk, Kovaçevski. Sipas liderit të VMRO-DPMNE-së, rritja e konfirmuar e çmimit për një kilovat energji elektrike bashkë me heqjen e tarifës së lirë gjatë ditës, në praktikë do të nënkuptojë rritje të rrymës për rreth 15 për qind.
“Do të hiqet tarifa e lirë gjatë ditës, një nga premtimet elektorale në 2017, që do të rrisë çmimin e energjisë elektrike me rreth 5 deri në 7 për qind, 10 për qind shtesë manovrojnë me informacione dhe informime, nga 9,5 në 10, 5. do të thotë rreth 15 për qind në vlerë neto”, deklaroi Mickovski para se KRRE ta publikojë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Pasi dje e shqyrtoi kërkesën e BEG për çmimin e ngrohjes qendrore, KRRE pritet sot të njoftojë se sa do të rritet ngrohja qendrore. Sipas Bislimovskit, do të kërkohet mënyrë që të mos ketë rritje drastike të çmimit, sepse kjo do të shkaktonte që shfrytëzuesit e ngrohjes të çkyqen nga sistemi dhe për ngrohje do të fillojnë të shfrytëzojnë energji elektrike.
“Bëj thirrje për solidaritet të të gjitha palëve të interesuara. Çmimi i blerjes së gazit natyror në pjesën ku BEG blen me çmime në bursë është rreth 1480 dollarë për metër kub. Kjo është një blerje për muajin janar dhe është pothuajse gjashtë herë më e lartë se mesatarja në 2021 kur ishte 240 dollarë për metër kub. BEG ka paraqitur një kërkesë për këtë dje dhe ne do ta shqyrtojmë sot. Atë që kam menduar për energjinë elektrike, mendoj edhe për ngrohjen – se rritja drastike e çmimit të ngrohjes qendrore nuk është zgjidhje sepse shumë konsumatorë do të shkëputen nga sistemi dhe do të fillojnë të përdorin energjinë elektrike për ngrohje. Jemi në komunikim me Qeverinë dhe mendoj se do të gjejmë mirëkuptim, por i ftoj zyrtarët në qytetin e Shkupit dhe komunat në qytet që të përfshihen aktivisht dhe nëse është e nevojshme të ofrojnë subvencione të duhura për konsumatorët. Nesër do t’ju informojmë se çfarë mund të pritet për çmimin e energjisë termike, tha Bislimovski.