Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski pret që dorëzimi i mandatit, mandatarit të ri të ndodh të martën ose të mërkurën e ardhshme. Ai sonte deklaroi se tek ai ka ardhur shkresa nga Kuvendi për dorëheqjen e Zaevit, por tha se i nevojitet edhe një shkresë nga partia e cila ka shumicë që të mund ta japë mandatin.
“Sot pasdite në kabinetin tim ka arritur një shkresë nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi se Zaev ka dhënë dorëheqje dhe e gjithë qeveria është në dorëheqje. Pasi e mora njoftimin fillojnë të ecin ato dhjetë ditë në të cilat jam i detyruar të jap mandatin. Prej sot pasdite filloi të ecë ai afat. Më duhet edhe një shkresë tjetër, kujt t’ia jap mandat. Nuk mund ta marr me mend, duhet të marr një letër nga një parti apo parti që duhet të thonë ne kemi shumicën dhe ai dhe ai është kryeministër. Nuk mund t’ia jap mandatin LSDM-së, duhet ta di kujt ia jap si person, konkretisht personit”, theksoi Pendarovski në emisionin e sontëm në televizionin Kanal 5.
Kryetarit të ri të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, për të cilin shkruhet se do të jetë mandatar i ri, sipas Pendarovskit, duhet t’i jepet shans. Kovaçevski, tha Pendarovski, është një i panjohur i madh në politikë sepse nuk ka qenë paraprakisht në pozitë, por duhet t’i jepet shans. “Duhet t’i jepet shans. Është fakt se ka përvojë të pasur akademike, ka vite dhe vite përvojë partiake në LSDM, atje e njohin. Mendoj se ka lidhje me grupacione të llojllojshme të cilët ekzistojnë. Mendoj se ka bazë të mirë fillestare”, ka thënë Pendarovski.
Sipas kontakteve të cilat janë në vijim, shefi i shtetit shtoi se dorëzimi i mandatit do të duhet të ndodhë javën e ardhshme. “Sipas kontakteve të dy kabineteve, mendoj se kjo do të ndodh gjatë javës së ardhshme, jo vetëm pasi që afatet po ecin, por mendon se disa procedura të tyre partiake paralajmërohen për të hënën në mbrëmje, në të cilat kjo do të definohet ndoshta edhe të martën ose të mërkurën e ardhshme, do të mund të hyjnë edhe në një procedurë të tillë – dorëzim të mandatit për mandatarin”, shtoi Pendarovski.