Në kushte të krizës shëndetësore botërore, e shkaktuar nga Kovid-19, u tregua se më shumë se e nevojshme është që dita e diel të jetë ditë jopune për të gjithë punëtorët.
Përmes rrugës së dialogut social me Qeverinë dhe punëdhënësit, me votimin e sotëm në Kuvend nga ana e deputetëve, kemi arritur ta sigurojmë këtë të drejtë për punëtorët, kumtoi Lidhja e sindikatave të Maqedonisë (LSM). Prej aty potencojnë se një nga kërkesat e tyre kryesore në protestën e mbajtur më 12 dhjetor, sot u votua nga ana e deputetëve në Kuvend dhe më në fund fillon të zbatohet nga 1 janari i vitit 2022.
“Nëntëdhjetë e dy për qind nga punëtorët do të pushojnë, ndërsa ata tetë për qind, të cilët punojnë në veprimtari, ku nuk mund të ndërpritet procesi i punës, për punë të dielën do të marrin të paktën 50 për qind shtesë të rrogës për secilën orë të kaluar në punë të dielën, ndërsa sindikatat e bashkuara në LSM tanimë përmes marrëveshjeve kolektive kanë siguruar edhe 100 për qind shtesë të rrogës për punë të dielën”, njoftojnë nga LSM.
LSM vlerëson se kjo paraqet shembull i shkëlqyer për avancimin e të drejtave të njeriut përmes krijimit të kornizës juridike për respektimin e vlerave demokratike.