Qëllimi të sigurohet Qeveri stabile dhe shumicë parlamentare stabile të cilat veprojnë vetëm në interes të qytetarëve dhe të interesave shtetërore është plotësuar, porositën pas takimit të mbrëmshëm të punës në Qeveri kryeministri Zoran Zaev, kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski dhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare, siç informuan nga pres shërbimi qeveritar, pritet të jenë të rregullta dhe të mbahen në vitin 2024, ndërsa deri atëherë Qeveria do të japë rezultate ekonomike, të shpejta dhe shërbime cilësore ndaj qytetarëve dhe ballafaqim të suksesshëm me krizën pandemike dhe energjetike. “Zaev, Ahmeti dhe Kovaçevski u pajtuan se Qeveria e re tërësisht do të fokusohet në lëvizjen e shpejtë të shtetit ndaj eurointegrimeve dhe se qëllimi ëshrë suksesi i parë i madh i Qeverisë të jetë gjetja e zgjidhjes për sfidat në marrëdhëniet me Bullgarinë dhe fillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ishte kumtuar pas takimit. Takim me liderin e BDI-së Ali Ahmeti, dje mbajti edhe lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare Hristijan Mickoski, i cili porositi se kanë biseduar për kontestin me Bullgarinë, për të cilin ai i ka përsëritur qëndrimet e tij, por edhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. “Duke e marrë parasysh gjendjen në shoqëri, krimin dhe korrupsionin e institucioneve jofunksionale, mosdisiplina, gjendja e keqe ekonomike dhe energjetike në vend dhe shumë faktorë tjerë të cilët ndikojnë negativisht, qëndrimi im është se vetëm me një rivendosje serioze të sistemit, shumë punë të mëdha dhe njerëz të rinj mund të dalim nga kjo gjendje e krizës në të cilën gjendemi, ndërsa për atë nevojiten zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha Mickoski. Sipas Mickoskit, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të nevojshme sa më parë, Ai përmendi se për momentin VMRO-DPMNE është grupi më i madh i deputetëve me numër më të madh të kryetarëve të komunave dhe këshilltarë, dhe tha, ka të drejtë politike dhe kredibilitet të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare sepse fitoi bindshëm dy herë në zgjedhjet lokale edhe në rrethin e parë dhe në të dytin . Duke e komentuar kërkesën e liderit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski për zgjedhjet e parakohshme, presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, mbrëmë duke qenë mysafir në “Top tema” në televizionin Telma tha se shtetit i mungon periudhë pa zgjedhje. “Nëse ka 61 vota, do të shkojmë në zgjedhje. Kuptohet se vendimet e sjellura në mënyrë demokratike duhet të respektohen. Por, fakt është se patëm 5-6 cikle zgjedhore në shtatë/tetë vitet e fundit dhe fakt është se shtetit i mungon periudhë pa zgjedhje, në të cilën duhet të shikojmë se çka mund të kontribuojnë njerëzit e rinj në Qeverinë e re pas Vitit të Ri”,tha Pendarovski. Ai megjithatë, potencoi se sipas tij shumë vështirë se mund të arrihen 61 vota në Parlament që ai të vetëshpërbëhet dhe të ketë zgjedhje të parakohshme. Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, mbrëmë në deklaratë para Kuvendit për mundësinë të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, tha se, jetojmë në një sistem demokratik dhe nëse 61 deputetë vendosin të shkojmë në zgjedhje dhe të shpërbëhet Kuvendi, normalisht që do të ketë zgjedhje. “Mendoj se Alternativa bëri hap të madh drejt hapjes së kësaj dere për fillim të negociatave me BE-në. Nëse Bullgaria dhe Bashkimi Evropian ende nuk janë të vendosur ta hapin këtë derë në dhjetor, mendoj se atëherë kjo do të ndodhë në janar, mendoj se duhet të presim. Nuk mendoj se kjo ishte arsyeja e vetme që u bëmë pjesë e Qeverisë, ka shumë arsye, por kjo me të vërtetë ishte shumë me rëndësi, dhe një nga më të rëndësishmet”, tha Gashi.