Presidenti Stevo Pendarovski sot realizoi takim me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Gabriel Eskobar, ku, siç informojnë, u këmbyen mendime për marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, si dhe për gjendjet në rajon.
Në takim, Pendarovski, siç informojnë nga kabineti i tij, vlerësoi se dy shtetet në vazhdimësi kultivojnë dialog produktiv politik dhe shprehi bindje se marrëdhëniet bilaterale do të vazhdojnë të zhvillohen me dinamikë akoma më të fuqishme. Pendarovski, gjithashtu, e theksoi edhe rëndësinë e mbështetjes së fuqishme dhe të vazhdueshme nga SHBA-ja në realizimin e qëllimeve strategjike të shtetit tonë, që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot. Lidhur me aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, presidenti Pendarovski e riafirmoi pritjen për fillim sa më të shpejtë të negociatave inkuadruese për anëtarësim, duke cekur se zhbllokimi i procesit integrues do të reflektohet pozitivisht ndaj stabilitetit të përgjithshëm dhe zhvillimit të rajonit.
Në atë kontekst, presidenti Pendarovski u falënderua për mbështetjen e administratës amerikane, dhe personalisht zëvendës ndihmës sekretarin shtetëror Eskobar, lidhur me nevojën për përparim të vendeve nga rajoni drejt BE-së. Në takim, thuhet në kumtesë, Pendarovski e theksoi përkushtimin e republikës së Maqedonisë së Veriut, si anëtarja më e re e NATO-s, të kontribuojë për sigurinë dhe mbrojtjen e vëerave të komunitetit euro-atlantik. Pendarovski, gjithashtu, u falënderua për ftesën për pjesëmarrje në Samitin virtual për demokraci, në organizim të presidentit të SHBA-së, Xho Bajden, që do të mbahet më 9 dhe 10 dhjetor 2021.