Vendim për ngrirjen e çmimeve të produkteve themelore ushqimore e morëm me qëllim që të mos ketë ndikim më të madh në pjesën e shpenzimeve që qytetarët i kanë, veçanërisht gjatë kohës së krizës energjetike, duke marrë parasysh se çmimet e energjisë elektrike mund të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose indirekte në rritjen e çmimeve edhe të prodhimit edhe të tregtisë, qoftë kjo tregti me pakicë apo me shumicë, deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në konferencën e sotme për media.
Bekteshi shprehet se me marrjen e vendimit, produktet themelore ushqimore, buka, sheqeri, mielli – tip 400, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi i përhershëm me përmbajtje yndyre 2.8, 3.2 dhe 3.5 për qind, mishi i freskët dhe produktet e mishit, djathi dhe gjiza të shiten sipas çmimeve që i kanë pasur më 1 dhjetor, nuk do të thotë se vendimi nuk do të zgjerohet edhe me produktet tjera.
“Gjithçka varet nga të dhënat që do të marrim javën e ardhshme nga Enti i Statistikave, këto vendime i marrim vetëm në interes të qytetarëve dhe në interes të standardit të tyre jetësor”, shton Bekteshi. I pyetur se pse vendimi për ngrirjen e çmimeve nuk është marrë sipas shembullit të Serbisë, ministri i Ekonomisë bëri të ditur se kjo varet nga shumë parametra.
“Fillimisht, lëndët e para të disa kompanive vendore që prodhojnë vaj ushqimor luledielli në shtetin tonë janë kryesisht të importuara. Për sa i përket çmimit të importuar, nuk mund të ndikojmë pse ato produkte prodhohen jashtë shtetit. Ne mund të ndikojmë në pjesën e marzhat të përcaktuar nga kompania vendore në formimin e çmimit përfundimtar”, sqaroi Bekteshi. Hapi i dytë, shprehet ai, është tregtia me pakicë ku vendosen produkte të caktuara dhe si fazë e tretë është çmimi që qytetarët blejnë në marketet, që është një tregti e vogël në raport me marzhat.
“Sa i përket produkteve të caktuara që prodhohen në vend, ne kemi mekanizma të tjerë përmes Ligjit për mbështetjen e drejtpërdrejt të investimeve, përmes subvencionimit të produkteve të caktuara që tashmë jemi duke i realizuar dhe i kemi implementuar edhe në vitet e kaluara, e sigurisht që nga fillimi i vitit të ardhshëm do të rrisim në mënyrë plotësuese mbështetjen për produktet e këtilla”, tha ministri.
Bekteshi theksoi se Maqedonia e Veriut në kohën e pandemisë së virusit korona ishte vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që miratoi masa të këtilla, me qëllim që t’u dalë në ndihmë qytetarëve, konsumatorëve dhe tregtarëve, por edhe prodhuesve. Ai theksoi se në nivel vjetor shpenzohen mbi 15 milionë euro drejtpërdrejt nga buxheti për financimin e projekteve shtesë, teknologjive të reja, krijimit të produkteve të reja të kompanive vendore.
“Vitin e kaluar kur morëm vendim të këtillë nuk kishte ndikime negative në ekonominë në përgjithësi. Mund të ketë pasur një ulje të fitimeve në sektorë të caktuar, por nuk kishte njerëz që humbën vende të punës, nuk kishte kompani që reduktuan prodhimin. Nuk ka pasur tregtarë që ka ulur vëllimin apo të ardhurat e tyre në vitin paraprak. Ne u kushtojmë vëmendje të gjithë këtyre parametrave kur marrim vendime të këtilla. Ne e kemi marrë vendimin në bazë të të dhënave që publikohen në mënyrë transparente, të hapur nga ESHS-ja për muajin tetor”, shprehet Bekteshi.
Ministri i Ekonomisë tha se në kohë pandemie dhe krize energjetike duhet solidaritet dhe reduktim i marzhave në prodhim dhe tregti dhe se shteti në përputhje me kapacitetet e tij do t’u dalë në ndihmë të gjithë faktorëve në ekonominë. Ai paralajmëroi se javën e ardhshme priten të dhënat për muajin nëntor dhe nëse është e nevojshme do të zgjerohet në mënyrë plotësuese lista e produkteve për të cilat do të merret vendim për ngrirje të çmimeve. Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut më 4 dhjetor të vitit 2021 mori vendim për ngrirjen e çmimeve të produkteve themelore ushqimore deri më 31 janar të vitit 2021.
Nga Qeveria paralajmëruan se nëse ka nevojë ky vendim do të vazhdohet.


