Shumicë parlamentare prej 64 deputetësh dhe përbërja e re e Qeverisë në të cilën Alternativa do të ketë tre ministra dhe tre zëvendësministra.
Kjo u arrit me marrëveshjen që kjo parti të jetë pjesë e koalicionit qeverisës. Lideri Afrim Gashi dje ka nënshkruar programin për veprim të përbashkët dhe anëtarësim në Qeveri me kryetarin e LSDM-së dhe kryeministër Zoran Zaev, i cili paralajmëroi se do të largohet nga të dyja pozitat. Ai do të largohet nga partia me kongresin e partisë më 12 dhjetor, kur do të zgjidhet pasardhësi i tij në krye të LSDM-së, kurse nga kryeministri – pas disa javësh, gjegjësisht kur të bëhet i ditur epilogu i suksesshëm i procesit për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, përkatësisht gjetja e zgjidhjes me Bullgarinë. Ai e shtyu dorëheqjen e tij pas zgjedhjeve lokale sepse, tha , “proceset e rëndësishme për vendin nuk duhet të lihen në mes të rrugës”. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Gashin, Zaev theksoi se do të bëjë gjithçka për të gjetur një zgjidhje me Bullgarinë dhe tani është periudha më e mirë.
“Nëse nuk gjendet tani, nuk besoj se do të gjendet në vitin 2022. Në mes 14 dhjetorit dhe 15 janarit është periudha që mund të realizohet Këshilli për punë të përgjithshëm. Kjo është mundësi për të hapëruar përpara, dhe përfundimisht pas 16 e gjysmë vitesh të fillojmë negociatat. Në pyetje janë javë. Kjo është periudha më pozitive për të gjetur zgjidhje. Për mua gjëja më e rëndësishme në vend është rruga euroatlantike dhe ajo që filloi me Bullgarinë. Në fund, jemi në fotofinish dhe nuk mund të lihet kështu. Qëllimi kur mund të përfundojë është i përcaktuar qartë, do të ketë periudhë kur Franca do të kryesojë dhe zgjedhjet do të jenë në pranverë kështu që periudha për të gjetur dritare për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është e shkurtër”, tha Zaev.
Ai është krenar, siç tha, për vendimet që ka marrë në periudhën e kaluar dhe beson se populli është i bindur se kjo është rruga e drejtë dhe nuk ka rrugë tjetër për integrimin e vendit në BE dhe NATO. Në zyrtarizimin e marrëveshjes, që vijoi pas tre takimeve të tyre, liderët e të dyja partive theksuan se me katër deputetët e Alternativës, vendi po del nga kriza politike, është siguruar një shumicë e qëndrueshme parlamentare dhe nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, por të rregullta në vitin 2024.
“Jam i bindur se me të paktën 64 deputetë kemi garancinë më të fortë për shumicë të qëndrueshme parlamentare dhe besoj se mund të rritet. Pra, zgjedhjet në 2024, me rezultate të mira në ekonomi, progres dhe kapituj të zotëruar për Bashkimin Evropian. Kjo është pritshmëria jonë. Qëndrimi im në këtë periudhë shtesë është për hir të sigurimit të shumicës parlamentare dhe mendoj se po e përfundoj këtë punë. Me 12 dhjetor partia ime LSDM do të ketë kryetar të ri. Pritet të ketë qeveri të re që do të propozojë ministra të rinj dhe do të bëjë kuadro të reja”, tha Zaev në konferencën për media me liderin e Alternativës Afrim Gashi. Përbërja e qeverisë së re do të vendoset nga mandatari i ri dhe kjo do të jesë pas disa javësh, siç tha “pasi të bëhet e ditur me Bullgarinë”.
Ai informoi se Alternativa e ndërmerr përgjegjësinë që me kuadro të veta dhe nga radhët e saj të emërojë ministër të Shëndetësisë, ministër të Shoqërisë Informative dhe Adminisatratë dhe ministër pa resor, i obliguar për diasporën.
Qeveria, siç tha, do të vendos disa ministri pa resor, me qëllim që më mirë të ballafaqohet me të gjitha sfidat në vend dhe ato globale. Nga ana e Alternativës do të emërohen edhe tre zëvendës ministra, prej të cilëve një në MASH, një në Ministrinë e Kulturës, ndërsa për resorin e tretë mbetet në mënyrë shtesë të saktësohet, edhe pse u bisedua për zëvenbdës ministër të Bujqësisë. Alternativa do të ndërmerr përgjegjësi edhe në menaxhimin e organeve udhëheqëse në disa institucione në nivel qendror dhe rajonal. Mes tyre dhe nga më të rëndësishmet janë MEPSO, FSSHM, Hekurudhat dhe Transporti, Qendra klinike – Tetovë, Agjencia për investime të huaja e tjerë. Kryetari i Alternativës, Gashi i prezantoi parimet e kontraktuara, me të cilat do të mbindërtohet, respeketivisht plotësohet programi qeveritar. Ato kanë të bëjnë më së shumti me integrimet evropiane, mirëqenien ekonomike e popullit, zhvillimin barabartë rajonal, shteti juridik dhe dërgesa e shpejtë dhe cilësore e shërbimeve drejt qytetarëve nga ana e institucioneve. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ka reaguar VMRO-DPMNE opozitare, sipas së cilës “në vend të një partie që dëshiron të ndryshojë diçka në shoqëri dhe të bëhet korrigjuese e vlerave të shtrembëruara, Alternativa bëhet partnere e grupit kriminal në pushtet LSDM dhe BDI”.