Komisioni Evropian sot e ka miratuar Pakon për Zgjerim 2021 bashkë me raportim e progresit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe për Maqedoninë e Veriut. Në raportin që u prezantua pasdite në Parlamentin Evropian në Stresburg, Komisioni Evropian e kritikoi bllokadën për hapjen e bisedimeve dhe është e kënaqur që Maqedonia e Veriut vazhdon t’i plotësojë kriteret për anëtarësim të BE-së dhe që autoritetet tregojnë orientim të qartë pro evropian, njofton Portalb.mk.
“Maqedonia e Veriut vazhdon t’i plotësojë kushtet për hapjen e bisedimeve për anëtarësim dhe autoritetet e demonstruan publikisht përkushtimin e tyre të fortë për vazhdimin e rrugës së BE-së. Vendi ka mbajtur rrjedhë të vazhdueshme dhe qëndrueshme të reformave të BE-së dhe i ka rritur përpjekjet e saja për dhënien e rezultateve të prekshme edhe më tej”, thuhet në raportin për progresin e reformave për Maqedoninë e Veriut.
Në raport theksohet se reformat e BE-së janë proces afatgjatë, që kërkon angazhim të vazhdueshëm nga Qeveria dhe opozita, por edhe nga të gjithë aktorët e shoqërisë.
KE-ja e ka lavdëruar Maqedoninë e Veriut në pjesën e harmonizimit të politikës së saj të jashtme me atë të BE-së me shkallë prej 96%, që paraqet rritje për 2% në krahasim me vitin 2020.
“Në mars 2020 anëtarët e Këshillit të Evropës njëzëri e miratuan vendimin që t’i hapin bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut. Anulimi në fillimin zyrtar të bisedimeve për anëtarësim ka pasoja negative ndaj kredibilitetit të BE-së”, paralajmëron KE.
Komisioni gjithashtu thekson se çështja bilaterale mes Shkupit dhe Sofjes, patjetër me prioritet të zgjidhet.
Raportin e plotë të KE-së për Maqedoninë e Veriut mund ta gjeni: KËTU