Marrëveshja midis qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë për ndërtimin e interkonektorit për gaz natyror u nënshkrua nga ana e ministrit të Ekonomisë së vendit Kreshnik Bekteshi dhe ministrit grek të Mjedisit Jetësor dhe Energjetikës, Kostas Skrekas sot në Athinë. Siç njofton korrespodentja e MIA-s nga Athina, bëhet fjalë për projektin në vlerë rreth 100 milion euro, nga të cilët 54 milion euro janë në Maqedoninë e Veriut.
Me interkonektorin për gazin natyror hapet mundësi e madhe, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Serbinë, për Kosovën dhe për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe me të do të mundësohet diversifikim i gazit natyror.
“Ky është një hap i madh përpara në përmirësimin e strukturës energjetike të vendit tonë dhe sigurisht që do të kontribuojë në diversifikimin e furnizimit me gaz natyror dhe natyrisht për sa i përket stabilitetit në furnizimin me gaz natyror”, tha Bekteshi pas nënshkrimit.
“Kjo është marrëveshje e rëndësishme, do të krijohen një mijë vende pune gjatë ndërtimit. Ndërtimi i këtij projekti të rëndësishëm do të kushtojë rreth 110 milion euro, të cilat do të bashkojnë dy sistemet e gazit natyror të dy vendeve, dhe natyrisht, pasi të fillojë të funksionojë, ky tubacion do të ndihmojë shumë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomive tona”, tha Skrekas.