Me marrëveshje politike për shkak të pandemisë me Kovid-19, regjistrimi në prill të këtij viti u shty për shtator, ndërsa zgjedhjet lokale për gjysmën e dytë të tetorit. Përderisa partitë politike janë tashmë të zëna me zgjedhjen e kandidatëve për kryetarë komunash, drejtori i Entit shtetëror për statistikë, Apostol Simovski siguron se regjistrimi do të kryhet në periudhën e planifikuar dhe se nuk është planifikuar asnjë shtyrje e re e regjistrimit në shtator.
Simovski dje theksoi se situata epidemiologjike është duke u monitoruar dhe se regjistrimi do të bëhet në përputhje me masat dhe protokollet për mbrojtje, ndërsa regjistruesit do të vaksinohen gjatë gushtit.
“Natyrisht, gjithçka do të varet nga situata epidemiologjike, por nuk pritet ndonjë kulm i rëndësishëm në vend siç ishte në prill dhe mars të këtij viti. Ajo që ne me siguri do të bëjmë është që do ta realizojmë regjistrimin dhe të veprojmë sikur të jemi në kulmin më të madh, duke i respektuar të gjitha masat,” deklaroi Simevski në “Brifingun e mëngjesit”.
Ai pret, aty ku do të ketë mundësi dhe kushtet e motit do të lejojnë regjistrimi të bëhet edhe në të hapur.
Procesi i vetëregjistrimit të qytetarëve tanë nga diaspora, përmes platformës së Entit shtetëror për statistikë, është duke vazhduar dhe do të zgjasë deri më 30 shtator, deri në fund të Regjistrimit.
Sipas metodologjisë së përcaktuar tashmë, regjistrimi do të kryhet përmes një metode të kombinuar, duke i përdorur bazat e të dhënave përshkruese nga MPB, MSHIA, Agjencia e Punësimit, MASH, MPPS, Agjencia për Kadastër dhe institucione të tjera shtetërore. Në praktikë, kjo do të thotë që regjistruesit që do të shkojnë në terren do të përdorin laptopë, të cilët do të lidhen me një ueb-aplikacion të zhvilluar posaçërisht.
Kuvendi me 95 vota “pro” dhe 12 “kundër” më 2 prill të këtij viti e miratoi me procedurë të shkurtuar propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Regjistrimin e popullsisë, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, 2021, me çka regjistrimi edhee zyrtarisht u shtye për 5 deri 30 shtator.
Shtyrja e regjistrimit, së bashku me futjen e gjurmëve të gishtave dhe shtyrja e zgjedhjeve lokale për tetor të këtij viti, ishin pjesë e marrëveshjes në takimin midis liderëve të dy partive më të mëdha në vend, kryeministrit Zoran Zaev nga LSDM dhe Hristijan Mickoski nga VMRO-DPMNE, ndërsa me mbështetje më vonë doli edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.