Komisioni Rregullator i Energjetikës dhe i Shërbimeve të Ujit të Republikës së Maqedonisë së Veriut (KRRE) në seancën e sotshme kryesore, miratoi vendimin me të cilin u jepet afat prej 90 ditësh tregtarëve me shumicë me naftë të papërpunuar, me derivate të naftës, me biokarburante dhe me karburante për transport – tregti me shumicë me mazut SHPKNJP “RKM” Shkup, SHPKNJP “Supertrejd” import-eksport Shkup, SHPKNJP “Pertinaks” Shkup, SHPKNJP “Li Oil DB” import-eksport Kavadar, që të harmonizohen me Rregulloren e nivelit dhe të mënyrës së përllogaritjes së rezervave operative.
Praktikisht, në afatin e përcaktuar prej 90 ditësh, tregtarët me shumicë me mazut duhet t’i mundësojnë sasitë e nevojshme të rezervave operative të mazutit në depozitat e tyre, të cilat për secilin tregtar përllogariten sipas metodologjisë së përcaktuar në Rregullore.
“Edhe pse në përputhje me Rregulloren, lejohet afat maksimal prej 6 muajve, gjatë së cilit kompania do ta harmonizojë punën e saj me dispozitat ligjore, KRRE-ja e shkurtoi këtë afat dhe i detyroi tregtarët me shumicë që për 90 ditë të dërgojnë dëshmi – procesverbal nga Inspektorati Shtetëror i Tregut se i posedojnë rezervat operative të mazutit. Në rast se pas afatit të përcaktuar, ndonjëri prej tregtarëve nuk i mundëson rezervat – do t’iu merret licenca e punës”, deklaroi Marko Bislimoski, kryetar i Komisionit Rregullator të Energjetikës dhe të Shërbimeve të Ujit.
Në fazën e parë, KRRE-ja i njoftoi tregtarët për ekzistimin e arsyeve për fillimin e procedurës së marrjes së licencave, me çka në afat prej 7 ditësh, tre nga katër tregtarët me shumicë me mazut dërguan përgjigje për njoftimin tonë edhe atë Li Oil, Supertrejd dhe RKM, ndërsa Pertinaks nuk ka dërguar përgjigje.
“Tregtarët me shumicë me mazut, në përgjigjet e tyre japin shpjegime se Rregullorja e Nivelit dhe e Mënyrës së Përllogaritjes së Rezervave Operative, të cilën Ministria e Ekonomisë e miratoi në prill të vitit 2021, është pa periudhë të adaptimit të kompanive me ndryshimet e reja. Tregtarët shpjegojnë se situata me pandeminë e ka vështirësuar punën në këtë periudhë dhe e ka ulur kapacitetin e të punësuarve. Disa kompani pohojnë se i kanë siguruar rezervat e domosdoshme, ndërsa të tjerat kërkuan afat maksimal prej 6 muajve për t’i harmonizuar”, thonë nga KRRE.