“Maqedonia e Veriut i ushqen vlerat evropiane, demonstron sjellje evropiane, vullnet politik dhe ndërton marrëdhënie të mira fqinjësore të nevojshme për prosperitet ekonomik dhe një standard më të mirë për qytetarët. Mesazhin nga Samiti i Delfit në Athinë e dërgoj edhe nga këtu në Shkup. Na duhet një Ballkan i prosperuar ekonomikisht i shekullit 21, i integruar në BE. Sot, unë do të shtoj edhe Ballkanin që jeton në të tashmen dhe ndërtojnë një të ardhme të prosperuar, ndërsa e kaluara është një mësim që ndarjet dhe grindjet nuk çojnë askund”, tha Kryeministri Zoran Zaev në hapjen e Forumit të parë Ekonomik të Shkupit.
Mbështetjen nga Greqia, theksoi Zaev, e kemi edhe në rrugën tonë evropiane, ndërsa anëtarësimi në NATO do të thotë siguri dhe një mundësi e shkëlqyeshme për zhvillimin ekonomik.
“Vendi ynë i ka përmbushur të gjitha kushtet për fillimin e negociatave për kapitujt e anëtarësimit në BE, gjë që konfirmohet pa kushte nga Komisioni Evropian, si dhe nga shumica dërrmuese e 26 nga 27 vendet anëtare. Unë dua t’i falënderoj të gjitha vendet anëtare të BE-së për mbështetjen e tyre të parezervë për këtë proces që do të fillojë gjatë presidencës aktuale, me Portugalinë ose presidencën e ardhshme me Slloveninë”, theksoi Zaev, duke shprehur mirënjohje të veçantë për mbështetjen e vazhdueshme nga SHBA-ja.
Në forumin e parë ekonomik në Shkup, tha Zaev, unë dua t’u dërgoj një mesazh investitorëve që t’i përdorin mundësitë dhe ta investojnë kapitalin e tyre në Maqedoninë e Veriut.
“Qeveria krijon një mjedis të favorshëm biznesi dhe kushte të barabarta, si për investitorët vendas ashtu edhe të huaj. Ekonomia kombëtare është e qëndrueshme dhe në rritje. Ne kemi arritur një rritje të lartë për të gjithë investitorët me prodhimin e përgjithshëm nga zonat e lira duke arritur 3.4 miliardë euro në vitin 2020. Investimet përbëjnë 46 për qind të eksporteve totale në të gjithë vendin dhe gati tetë për qind të BPV-së kombëtare”, theksoi Zaev.
Themeluesi dhe kryetari i Forumit Ekonomik Delfi Simeon G. Tsomokos, në hapje tha se qëllimi kryesor është t’i bashkojë liderët politikë dhe të biznesit nga rajoni në një vend, ku ata do të diskutojnë për një mënyrë konstruktive dhe të frytshme të përparimit politik në Evropën Juglindore.
Kryetari i biznes asociacionit grek në Maqedoninë e Veriut, Aris Vlakos, tha se bizneset greke në vitet e fundit kontribuojnë në rritjen ekonomike të vendit, duke investuar në industri kryesore, të tilla si energjia dhe bankat, industria dhe tregtia.
“Investitorët grekë aktualisht kanë një kapital të përbashkët prej pesë mijë milionë euro dhe gjenerojnë rreth 25 mijë vende të reja pune. Ne do të dëshironim të shihnim se si rritet ky trend, si dhe më shumë iniciativa rajonale për bashkëpunim dhe investime, që do ta nxisin rritjen e vendit,” tha Vlakos.
Forumi Ekonomik i Shkupit i titulluar “Agimi i Ri: Vendosje e themeleve të stabilitetit dhe prosperitetit” është një iniciativë e Forumit Ekonomik Delfi në bashkëpunim me biznes asociacionin grek në Maqedoninë e Veriut.