Kryeministri Zoran Zaev, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri për çështje evropiane Nikolla Dimitrov dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, do të qëndrojnë sot për vizitë pune në Sofje. Qëllimi i vizitës është të intensifikojë përpjekjet për të gjetur zgjidhje për çështjet e hapura dhe zhbllokimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Nga Shërbimi për shtyp i Qeverisë komunikuan se kryeministri dhe delegacioni qeveritar do të kenë takime pune me presidentin e Bullgarisë Rumen Radev, kryeministrin Stefan Janev, si dhe me përfaqësuesit e partive kryesore politike në vend.
Vizita e kryeministrit Zaev dhe delegacionit maqedonas në Sofje zhvillohet një javë para takimit të Këshillit të çështjeve të përgjithshme më 22 qershor dhe para Samitit të BE-së më 24 dhe 25 qershor.
Kryeministri Zaev dje ishte vendimtar që gjuha dhe identiteti maqedonas nuk diskutohen dhe se ato nuk janë fare në tryezë. Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria po diskutojnë propozimin që vjen nga Portugalia, e cila është kryesuese aktuale e BE-së, që, sipas tij, absolutisht kujdeset për gjuhën tonë maqedonase dhe identitetin maqedonas dhe në të njëjtën kohë kujdeset për pozicionet bullgare. Propozimi portugez, tha Zaev, është me të vërtetë një zgjidhje investive dhe krijuese për të cilën ia vlen të përpiqemi.
“Me këtë rast grupet punuese kanë arritje adekuate në hartë]n rrugore, ku u konfirmua bashkëpunimi në sektore në të gjitha nivelet. Këto janë suksese serioze, të cilat deri tani janë arritur. Dhe unë besoj se duhet t’u japim mundësi për gjetjen përfundimtare të zgjidhjes”, tha Zaev.
Për takimin në Sofje, ai tha se është i obliguar në fillim që qytetarëve t’u thotë pritjet e tij personale, pasi nuk dëshiron që as për vete, e as për popullin t’i rrisë pritjet nga ajo që është reale.
“Pse është reale? Për shkak se në Bullgari nuk ka as Parlament, nuk ka as qeveri politike. Ka dëshirë për bisedë dhe për këtë shkak do ta shfrytëzojmë këtë dëshirë për biseda nga ana e Qeverisë bullgare dhe ne do ta vizitojmë nesër Bullgarinë, ku do të takohemi edhe me lidershipin e disa partive politike, më të mëdhat…Shpresoj se do ta pranojnë këtë, ndërsa do të takohemi edhe me kryeministrin dhe me presidentin e shtetit dhe të gjithë bartësit e funksioneve përgjegjëse”, tha Zaev.
Propozimin portugez e vlerësoi si cilësor, cilësor për ne, cilësor për Bullgarinë dhe se kujdeset për të dy palët.
“Pozita e jonë zyrtare është se është bazë e mirë për arritjen e zgjidhjeve dhe pozita zyrtare e Bullgarisë është se është bazë e mirë për arritjen e zgjidhjes. Këtë duhet ta shfrytëzojmë”, tha Zaev.
Mundësia e parë për datë për konferencë ndërqeveritare është më 22 qershor, respektivist 24 dhe 25 qershor, kur mbahet Këshilli i Evropës. Më 6 tetor, tha Zaev, u caktua Këshilli i Evropës për Ballkanin Perëndimor në Slloveni gjatë kryesimit slloven.
Duke i komentuar akuzat nga lideri i opozitës VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski, Zaev tha se kishte akuza të ngjashme se përmes Marrëveshjes së Prespës ne do të humbasim identitetin tonë.
“Do të pyes publikisht, a është e mundur të humbasësh përsëri një identitet të humbur? Ai as nuk ishte i humbur dhe as nuk do të humbasë. Mickoski ka humbur ndoshta dhe nëse dikush e gjen, le ta kthejë në VMRO-DPMNE, por nuk besoj se edhe atje do të jetë i dobishëm”, u përgjigj Zaev.
Shefi i diplomacisl, Bujar Osmani, duke folur dje në një seancë të Komisionit parlamentar të Punëve të Jashtme theksoi se vendi është i gatshëm për bisedime të ndershme me mirëbesim për të arritur një zgjidhje reciprokisht të pranueshme me Bullgarinë fqinje, por jo me çdo kusht dhe jo në dëm të interesave të shtetit., duke theksuar se procesi është kompleks dhe se mungesa e një qeverie politike në Sofje është një pengesë serioze, prandaj nuk dëshiron të rrisë pritjet e qytetarëve.
“Është e rëndësishme të theksohen faktet dhe kushtet e mëposhtme. E para – çështjet e identitetit të tilla si gjuha maqedonase, identiteti etnik maqedonas, maqedonasit, nuk janë dhe nuk mund të jenë në tryezën e negociatave. Së dyti, konsiderojmë se propozimi i presidencës portugeze është një bazë e mirë për negociata. Së treti – përpiqemi të mbajmë seancën e dytë ndërqeveritare midis dy vendeve nga i cili duhet të dalë një protokoll i përshtatshëm, dhe prej tij një plan veprimi, i cili duhet të bëhet një udhërrëfyes. Së katërti, komunikimi zhvillohet në nivele të ndryshme për të forcuar dialogun e përgjithshëm dypalësh. Së pesti – qëllimi është i përbashkët, mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare dhe fillimi zyrtar i negociatave të aderimit me BE-në”, tha Osmani, i cili iu drejtua në gjuhën maqedonase, duke theksuar se e bën këtë për shkak të shqetësimeve të qytetarëve maqedonas.
Edhe të mos miratohet korniza negociuese në qershor, siç theksoi Osmani, tashmë është krijuar një fushë mjaft e qartë me sensibilizimin e partnerëve tanë strategjikë dhe të gjitha shteteve anëtare të BE-së dhe përpjekjet do të vazhdojnë menjëherë pas zgjedhjeve bullgare në kuadër të presidencës sllovene me BE-në.
“Strategjia jonë nuk është të humbasim kohë të çmuar dhe ne jemi të gatshëm për bisedime të ndershme në mirëbesim për të arritur një zgjidhje reciprokisht të pranueshme me Bullgarinë fqinje, por jo me çdo kusht dhe jo në dëm të interesave të shtetit. Pavarësisht nga sfidat, ne vazhdojmë me përpjekjet tona në të gjitha nivelet”, tha Osmani.
Para fillimit të seancës së Qeverisë bullgare, kryeministri bullgar Stefan Janev bëri një deklaratë dje.
“Çështjet që do të shqyrtohen janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për të dyja palët”, tha Kryeministri Janev.
Ai shprehu shpresën se hapat praktikë që mund të ndërmerren midis qeverive të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut mund të pasqyrohen më vonë në një pozicion që do të shqyrtohet në Parlamentin e ri bullgar dhe do të kërkohet një zgjidhje e qëndrueshme, e cila do të jetë në interes të Integrimi Evropian dhe perspektiva për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Pas seancës, Ministria bullgare e Punëve të Jashtme informoi se Qeveria e Bullgarisë miratoi pozicionin për pjesëmarrje në takimin e Këshillit të çështjeve të përgjithshme, i cili do të mbahet më 22 qershor 2021 në Luksemburg.
Në lidhje me Maqedoninë e Veriut, siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Sofja, në pjesën për politikën e zgjerimit të BE-së dhe perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut në pozicionin e miratuar nga Qeveria bullgare, thuhet se vendi i përmbahet Deklaratës së kuvendit të Bullgarisë nga 10 tetori 2019 dhe pozicioni kornizë për perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, miratuar më 9 tetor 2019.
Pozicioni i Bullgarisë në lidhje me kornizën negociuese dhe mbajtjen e konferencës ndërqeveritare me Republikën e Maqedonisë së Veriut mbetet i pandryshuar. Korniza negociuese për pranimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE duhet t’I përmbajë garancitë e nevojshme në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2017, të cilat aktualisht nuk ekzistojnë.
Në qëndrimin e MPJ-së bullgare theksohet se kushtet për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare nuk u plotësuan, por theksoi se, në të njëjtën kohë, Bullgaria mbeti e hapur për dialog dhe ndërmori hapa për të krijuar besim dhe për t’u kthyer në dialogun pragmatik dhe konstruktiv.
Ish zëvendësministri bullgar i Punëve të Jashtme dhe ish ambasador në Londër Lubomir Quçukov, thotë se Bullgaria për shkak të bllokadës të Maqedonisë së Veriut e ka humbur gjithë përparësinë e vendit anëtar të BE-së, dhe është izoluar si në NATO dhe BE, ashtu edhe në Ballkan.
Në komentin autorial për portalin bullgar “Epicentar”, Quçukov thotë se për shkak të kësaj Bullgaria është nënshtruar në presion politik nga të gjitha anët – nga SHBA-ja për arsye gjeopolitike që të mos krijohen tensione të Ballkanit Perëndimor të cilat hapin hapësirë plotësuese për ndikim nga Rusia dhe Kina, nga BE-ja, sepse kompromentohet në atë mënyra politika e zgjerimit të BE-së ndaj rajonit.
“Bullgaria është izoluar madje edhe nga Shqipëria, sepse në atë mënyrë anulohet edhe fillimi i saj i negociatave për anëtarësim. Madje edhe Greqia arriti të bëhet mik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa Franca, e cila në parim është kundër zgjerimit të BE-së, tani pohoi se e mbështet Maqedoninë e Veriut”, thotë Quçukov.
Sipas tij, Bullgaria me sukses është zhytur në kurth. Kundrejt mendimit të pranuar në përgjithësi. Bullgaria, thotë ai, është ajo e cila më së shumti humbi për shkak të bllokadës së Maqedonisë së Veriut, si në plan ndërkombëtar, ashtu edhe në marrëdhënie bilaterale.